1 viktimë e 3 të plagosur pas konfliktit mes kushërinjve, nëna e të ndjerit: E vranë për punë toke

 1 viktimë e 3 të plagosur pas konfliktit mes kushërinjve, nëna e të ndjerit: E vranë për punë toke

Një konflikt mes kushërinjve për një tokë bujqësore, ka sjellë vdekjen e një të riu 30 vjeçar dhe plagosjen e tre të tjerëve në fshatin Garunjas të Lushnjes.

Konflikti ka nisur në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjte. Romeo Hasalla, i ndjeri, ka udhëtuar së bashku me dy vëllezërit dhe babain në një tokë të cilën e kishin mbjellë me ullinj.

Atje kanë gjetur dy kushërinjtë e tyre, vëllezërit Kastriot e Afrim Hasalla, të cilët sapo ishin kthyer nga Italia. Një debat ka nisur mes familjarëve dhe situata ka dalë jashtë kontrollit. Një prej kushërinjve ka qëlluar me çifte në drejtim të Romeos, vëllezërve e babait të tij. 30 vjeçari baba i dy fëmijëve, ka gjetur vdekjen, ndërsa plagë në trup kanë marrë babai i tij 65 vjeçar dhe dy vëllezërit. Ata kanë shkuar vetë me makinë në spitalin e Lushnjes e fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.

Pas krimit, dy vëllezërit janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe janë shpallur në kërkim tashmë nga policia.

“Sot rreth orës 06:30, në fshatin Garunjas, njësia administrative Bllagat, Lushnje, si pasojë e një konflikti për motive pronësie mes kushërinjve të parë, kanë mbetur të plagosur me armë gjahu shtetasit Sh. H., 65 vjeç,(babai) L. H dhe E. H, 31 vjeç(vëllezër) si edhe ka ndërruar jetë shtetasi R. H, 30 vjeç(vëllai tjetër). Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë dhe kanë shpallur në kërkim autorët e dyshuar, shtetasit A. H dhe K. H., 33 vjeç(vëllezër), ku vijon puna intensive për kapjen e tyre. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë të saj”-njoftuan autoritetet policore.

E tronditur nga ngjarja, nëna e viktimës ka treguar për median se mosmarrëveshjet kanë lindur për tokën.

“Ajo është tokë shtet, çunat e patën mbjellë, ata thonë është toka ime, vajtën atje, nuk di nëna gjë më, për punë toke i raftë zjarri”.

Më vonë policia përcolli një tjetër njoftim, duke saktësuar se në kërki  është shpallur dhe djali i një prej dy autorëve të dyshuar të ngjarjes.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë në lidhje me ngjarjen e ndodhur në fshatin Garunjas, si rezultat i veprimeve të para hetimore është shpallur në kërkim edhe shtetasi M. H., 20 vjeç, djali i shtetasit K. H. Njëkohësisht, gjatë kontrollit të ushtruar është gjetur dhe sekuestruar 1 armë gjahu që dyshohet se mund të jetë arma me të cilën autori ka kryer krimin.”-njoftoi policia.