12 vite në burg për krimin që nuk kishte kryer, sëmundja e merr 64 vjeçarin pas 108 ditësh liri

 12 vite në burg për krimin që nuk kishte kryer, sëmundja e merr 64 vjeçarin pas 108 ditësh liri

Një burrë 64 vjeçar ka shijuar për veçse 108 ditë lirinë e fituar në gjyq, fill pas 12 viteve burgim për një krim që ai nuk e kishte kryer.

Kjo është historia e trishtë e një burri nga Kansasi, që iu konsumua jeta nga një vendim i gabuar dhe sëmundja e kancerit.

“Ai hyri përsëri në botën e lirë, por me një trup të thyer”- u shpreh avokati i tij mbrojtës përpara medias.

Olin Coones, 64 vjeçar, ndërroi jetën prej kancerit. I vetmi moment ngushëllues për familjen e tij ishte fakti se mundën ta përqafojnë e prekin të atin për disa kohë, pas 12 vitesh.

Sëmundja e burrit siç thanë dhe avokatët e tij, kishte avancuar dukshëm për shkak të mungesës së diagnostifikimit e trajtimit gjatë mëse një dekade në burg.

 “E lanë të takohej me të afërmit vetëm 3 muaj e gjysmë përpara se të vdiste. Kishte vite që lutej për këtë ditë. Pete e donte shumë familjen”, shtuan ata.

64 vjeçari ishte dënuar me burgim për akuzën e vrasjes në vitin 2008. Ai u gjet i fajshëm për vrasjen e një çifti (Kathleen dhe Carl Schroll). Pas 12 vitesh betejë dhe mungesës së profesionalizmit në mbledhjen e provave, e vërteta u zbulua. 64 vjeçari nuk kishte bërë asgjë. Rezultoi se ishte gruaja (Kathleen) ajo që kishte vrarë të shoqin dhe më pas veten.

Tre muaj më parë, kur pa pas 12 vitesh dritën e diellit larg qelisë dhe takoi gruan e fëmijët, 64 vjeçari dha këtë prononcim për median në Kansas.

“Zgjohesha dhe mendoja gjatë gjithë kohës për një arsye që të më shtynte edhe një ditë më shumë. Çdokush e do familjen, fëmijët… fëmijët i dua më shumë se jetën time dhe ata më dhanë një arsye për të vazhduar të jetoja në qeli.

Dashuria e jetës sime, gruaja ime… për 12 vite i thoja që të divorcoheshim dhe që ajo të vijonte jetën e saj. Por erdhi një kohë që mu desh ta mbyllja gojën, sepse sa herë e përmendja, ajo mërzitej aq shumë…

E vetmja gjë që unë thash ishte se jam i pafajshëm. Më ofruan të qëndroja në burg për 5 vite (duke pranuar fajësinë). Nuk mund të pranoja fajësinë kur e dija fare mirë që nuk kisha bërë asgjë. Bota drejtohet nga e vërteta, jo gënjeshtrat.”