12 vjeçarja ndërron jetë, vëllai i mitur e qëllon aksidentalisht me armën e xhaxhait

 12 vjeçarja ndërron jetë, vëllai i mitur e qëllon aksidentalisht me armën e xhaxhait

Mbi dhjetëra raste ndodhin në Shqipëri çdo vit, ku armët lihen kuturu dhe shkojnë në dorën e fëmijëve. Në shumë prej këtyre rasteve, pasojat kanë qenë tragjike. Humbje të jetëve në formë aksidentale, herë kur të miturit qëllojnë aksidentalisht mbi veten, e herë kur qëllojnë mbi të tjerët, duke mos e kuptuar se në dorë mbajnë një armë që të merr jetën.

Kështu ka ndodhur sërish ditën e djeshme. Një 12 vjeçare është qëlluar aksidentalisht nga i vëllai i saj i mitur. Fëmija ka përdorur një armë gjahu të xhaxhait të tij dhe ka qëlluar mbi të motrën. 12 vjeçarja ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës.

Policia njoftoi këtë të enjte se arrestoi poseduesin e armës, e cila rezultonte të ishte dhe pa leje.

“Nga strukturat hetimore të Stacionit të Policisë Velipojë, nën drejtimin e Prokurorisë në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje, më datë 10.02.2021, u arrestua në flagrancë shtetasi Xh. Gj., 30 vjeç, banues në fshatin Baks, Velipojë, Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”(xhaxhai i 12 vjeçares)

Ky shtetas u arrestua pasi në banesë mbante pa leje një armë gjahu, me të cilën shtetasi i mitur E. Gj. aksidentalisht ka shkrepur armën në drejtim të motrës së tij, shtetases E. Gj., e cila si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër.”- njoftoi policia.

Kështu jeta e një 12 vjeçareje u shua si pasojë e neglizhencës, një ngjarje që vijon të përsëritet e përsëritet në Shqipëri. Kujtojmë që në muajin dhjetor të vitit të kaluar, një oficer i forcave RENEA gjeti vdekjen, pasi i biri aksidentalisht e qëlloi me armën e shërbimit.