“17 ditë kam fjetur në stolat e spitalit… i kam larë në lot se nuk shpëtoj dot tim bir”

 “17 ditë kam fjetur në stolat e spitalit… i kam larë në lot se nuk shpëtoj dot tim bir”

Heshtje për lotët dhe më pas sërish heshtje. Punë të gjithë ditën dhe sërish heshtje.

Por përse heshtje?

Sepse ky baba nuk ka para që t’i shpëtojë jetën të birit. Pasi punon tërë ditën, Benardi niset drejt Tiranës, nga fshati Qafë Zezë i Kolonjës. I çon ushqime apo rroba të birit të shtruar në spital. Shkon të shohë të birin e sëmurë e për të cilin punon.

Rrëfimi i tij të thyen zemrën.

Benardi: Jetoj në këtë banesë të ngritur me mund, me djersë, me ndihmën e motrave, vëllezërve, të nënës, së babait, të fëmijëve… (qan)

Punoja, kurseja, rrobtohesha… Tre fëmijë, tre yje. Të pagëzuar. Nuk e di (qan). Të kishin qejf për një telefon, për një lodër, ata kërkonin por unë nuk kisha… i gënjeja.

Këto nuk i kam ndonjë problem, jam mësuar… edhe më keq se kaq. Mendoja mirë e më mirë, por kam 5 muaj që po vete keq e më keq me problemet me djalin që është me leucemi.

Vete mbasdite në Tiranë. E kam mendjen nga shtëpia. Shikoj duart e djalit, shikoj plaçkat e djalit… (qan). Iki në Tiranë, nuk më duket rruga. Kur vij nga Tirana, më duket sikur po humbas, sikur skam gjë përpara… por edhe kur iki në Tiranë më duket sikur a do të kthehem më… (qan).

Fiorela 18 vjeçe, na tregon se me sa pak para rron familja.

Fiorela: Të jetosh këtu nuk është jetë. Situata ekonomike është shumë e rëndë, kemi ndihmën ekonomike 56 mijë lekë të vjetra edhe ushqimi është i pakët, shikojmë datën derisa vjen data për të marrë ndihmën, babi punon shumë që të sigurojë drutë e dimrit. Ne përpiqemi të ndihmojmë prindërit me aq mundësi sa kemi. Mamin me vëllain nuk është më këtu

Jam shumë e lidhur me vëllain, ai është shpresë për ne. Rrinim bashkë, kujdesesha për të, kur kisha shqetësim ma thoshte mua. Ai edhe pse i vogël i kuptonte kushtet, përpiqej të mos qahej. Edhe pse ishte 6 vjet më i vogël, thoshte do punoj.

Nëna: Që në 5 maj që kam ardhur. Rrija vetëm, burri në fshat. Të rrinte jashtë nëpër stola s’kishte ç;të bënte. Presim dita ditës, a vjen sot apo jo.

Ndonjëherë djali thotë iku babai na harroi. Djalin e ka marrë malli shumë për shtëpinë. Më thotë të ‘shkoj nja dy ditë në shtëpi e të vdes’. Mbi 2 milionë kemi marrë borxh për ta trajtuar këtu.

Bernardi: Këtu jashtë kam ndenjur, i kam larë me lot këto stola… 17 ditë kam ndenjur. Shumë jam prekur kur shokët e djalit më kanë dhënë para për ta ndihmuar (qan).

“Dua të shkoj në shtëpi, më dhembin këmbët. Ëndrra ime më e madhe është të shërohem dhe të shkoj në shtëpi. Më ka marrë malli për motrat dhe për shokët”,-thotë nga shtrati i spitalit 11 vjeçari.