20 orë duke mbledhur në kazanë, derisa shqiptarët e nxorrën familjen nga skëterra

 20 orë duke mbledhur në kazanë, derisa shqiptarët e nxorrën familjen nga skëterra

Jetonin në një barake të shkatërruar. I vetmi mjet i mbijetesës ishte të mblidhnin plastikë në kazanët e mbeturinave. Kështu e mbanin frymën gjallë.

Kryefamiljari, Petriti sakrifikonte më shumë se kushdo, duke punuar 20 orë. Ditën dhe natën. 5 anëtarët e familjes Saraçi përballeshin me një varfëri të tejskajshme.

Dashuri Saraçi, nëna e tre fëmijëve: Familja ime përbehet nga 5 anëtarë. Tre fëmijë, unë dhe burri. Jetojmë në kushte shumë të vështira, kam 15 vjet që vuaj. Bëj punët e shtëpisë, merrem me dhi, me gatimin, punojmë edhe tokën. Fëmijëve nuk ua plotësoj dot kushtet, më është mërzitur jeta, mendoj vetëm për fëmijët. Mërzitem, dal tek toka, qaj, që mos të më shikojnë fëmijët. Fsheh lotët.

Petrit Saraçi, kryefamiljar: Këtë barakë e kam blerë 50 mijë leke të reja. Vetëm këtë kam. Në dimër është aq ftohtë, katastrofë, shiu bie edhe brenda barakës. E kemi mbuluar me plastmasë, por prapë pikon. Nuk mban çatia është më llamarine. Nuk kam mundësi ta largoj familjen time nga ky vend. Fëmijët i kam të pangrënë… Më vjen turp nga fëmijët.

 I kam marrë djemtë të mbledhin bidonë, që mos të marrin rrugën e keqe. Dua ta fus në punë. Ngrihem në tre të mëngjesit vij në shtëpi në orën 11 të natës. I grumbulloj dhe i çoj i shes. Djalit të madh Markeljanit, i është thyer krahu, për atë më vjen të vras veten. Më dhimbset shpirti për atë, vuaj shumë për atë. Thonë bota, po ky ca prindi është që nuk shëron fëmijën e tij. Nuk kam mundësi ta kuroj.

Dashuria tregon se burri i saj fiton 2 mijë deri në 3 mijë lekë të vjetra në ditë dhe se mund të blejë vetëm një thes miell në muaj me ato para që grumbullohen.

Markeljani: Mbledhin kanoçe e bidonë, ndihmojmë babin me sa mundësi kam. Në behar dal me dhi. Kam krahun e thyer në tre vende. E kam thyer për herë të parë në klasë të parë kur isha i vogël. E futa në allci por pastaj më lëvizi kocka

Marisol: Nuk jetohet kështu si ne, kanë shoqet e mia shtëpi, unë nuk kam, dua të kem edhe unë shtëpi si ato. Nuk kam çfarë të bej. Më tha njëherë shoqja ime, dua të vij tek shtëpia jote, por nuk kisha si ta fusja. I thashë mos hajde. Ajo nuk erdhi. Një ditë më tha do të sjell disa rroba, pranova. Kështu jetojmë ne me ndihmën e njerëzve, na sjellin rroba. Ndonjëherë dua të dal edhe unë me shoqet. Nuk dal dot. Buka që gatuan mami nuk mjaftojnë, në shkollë shkojmë të pangrënë. Lekë nuk kemi. Kemi kushte shumë të vështira, babi fle jashtë barakës, nuk futet brenda.

Petriti thotë se edhe në dimër flinte jashtë barakës “ Ja këtu fle jashtë me dy batanije, me plastmasë, kalamajtë brenda janë pa ngrohje, nuk e paguaj dot energjinë elektrike. As fëmijët nuk i le dot jashtë të flenë. Unë nuk fle dot brenda pasi nuk ka vend për mua brenda barakës. Ja fle këtu jashtë gjithmonë…”

Shqiptarët për Shqiptarët nuk e lanë vetëm këtë familje. Lutjeve të tyre iu përgjigjën mijëra shqiptarë me një dhuratë që i ndryshoi jetën. Ndiqeni klipin

Kjo eshte familja qe ndihmoi Petritin të dalë nga skëterra