20 orë luftë me flakët në një magazinë në Tiranë! Mister fati i rojes që hyri për të ndihmuar punëtorët

 20 orë luftë me flakët në një magazinë në Tiranë! Mister fati i rojes që hyri për të ndihmuar punëtorët

Një zjarr i përmasave masive përfshiu një magazinë në afërsi të mbikalimit të Kamzës në Tiranë. Zjarri ra ditën e djeshme, ndërsa zjarrfikësit punojnë ende sot për të vënën nën kontroll tymin dhe vatrat e mbetura të zjarrit.

Që nga dita e djeshme kur ra zjarri e deri më tani, mbetet ende mister fati i një 33 vjeçari që punonte si shef i rojeve të sigurisë në objekt. I riu me inicialet A.S, hyri në godinë me qëllim të ndihmojë punëtorët atje dhe të bëjë të mundur shuarjen e flakëve. Pas thuajse 20 orësh, fati i tij ende nuk dihet.

Si dyshohet se ka nisur zjarri

Flakët mendohet të kenë nisur për shkak të një shkëndije elektrike. Magazina ku ra zjarri është e përmasave të mëdha, rreth 1 mijë metër katrorë dhe shërben për të mbledhur materiale nga më të ndryshmet. Ditën e djeshme një furnizim me rroba ka hyrë në magazinë dhe në momentin e nisjes së flakëve, janë krijuar me shpejtësi vatra zjarri për shkak të materialeve lehtësisht të djegshme.

Një dinamikë ende për t’u konfirmuar

Një prej punonjësve që po shkarkonte kamionin ka njoftuar në radio për zjarrin. 33 vjeçari, me detyrë shef i sigurisë, ka shkuar me shpejtësi brenda godinës për të bërë të mundur shuarjen e flakëve me një bombul për fikjen e zjarrit. I riu ka ndihmuar punonjësit të largohen, por brenda pak momenteve, flakët kanë marrë përmasa masive dhe e gjithë magazina është kthyer në një “serë” zjarri e tymi.

Që nga ai moment nuk dihet më për fatin e 33 vjeçarit.

Familjarët e 33 vjeçarit

Që nga mbrëmja e djeshme disa prej familjarëve të shefit të sigurisë kanë mbërriur në vendngjarje. Xhaxhai i 33 vjeçarit ka folur disa herë për median, duke thënë se i riu ishte në orar pune dhe nuk i përgjigjet prej kohësh celularit. Me kalimin e orëve, familjarët janë revoltuar me autoritetet policore e zjarrfikëse, me argumentin se nuk janë të pajisur sa duhet për të ndërhyrë brenda në magazinë. Xhaxhai i 33 vjeçarit është shprehur se nipi i tij ka një fëmijë të mitur.

Apeli i tezes së 33 vjeçarit

Sot në mesditë, disa prej familjarëve të 33 vjeçarit kanë debatuar me drejtuesit e zjarrfikëses në lidhje me efektivitetin e punës së këtyre të fundit. Tezja e të riut ka dhënë një prononcim për median, duke kërkuar nga autoritetet që të gjejnë djalin, gjallë apo vdekur.

“Jemi tepër të mërzitur dhe pa shpresë. Kanë ardhur zjarrfikëset me vonesë. Janë masa qesharake, ne kërkojmë nga shteti që të merren masat. Të hapen vatrat, djali ka qenë punëtor në krye të detyrës. Është përpjekur që të shpëtojë të tjerët. Ai nuk ka vrarë njerëz. Asnjë informacion nuk më kanë dhënë. Nuk kemi asnjë lloj shprese, me bombula dy kg, ato nuk janë zjarrfikëse emergjence. I bëj thirrje shtetit të marrë masa që të gjendet djali, gjallë a vdekur‘- tha gruaja.

Drejtori i Zjarrfikësve

Kreu i Zjarrfikësve Shkëlqim Goxhaj ka dhënë një prononcim për median këtë të enjte, duke thënë se kanë arritur të vënë nën kontroll flakët. Goxhaj theksoi se në brendësi të magazinës ka patur materiale nga më të ndryshmet (plastike), duke e bërë thuajse të pamundur ndalimin e tymit dhe izolimin e plotë të vatrave të zjarrit. Në lidhje me fatin e 33 vjeçarit, Goxhaj tha se është kërkuar në pjesë të ndryshme të godinës por ende nuk është gjetur asgjë. Puna vijon në pjesën e magazinimit të veshmbathjeve, atje ku dyshohet se nisën flakët.

“Kemi një zjarr shumë të rrezikshëm. Zjarri është në bodrum dhe materialet janë këpucë e veshmbathje, prandaj na e bën shumë të vështirë punën për ta neutralizuar. Kemi 15 orë që po punojmë me pajisje specifike.

Situatën e bën më të dhimbshëm njoftimi që kemi marrë, se një punonjës ndodhet në vatrën e zjarrit, i cili pas 3 orëve të para është eliminuar, por përbërja e magazinës na e bën të pamundur eliminimin e tymit. Kemi angazhuar të gjithë personelin e Bashkisë dhe kemi kërkuar ndihmë nga njësia e kërkim shpëtimit të minierave. Kanë punuar me ne gjatë gjithë natës, duke na furnizuar me pajime dhe fuqi punëtorë.

Edhe nga bisedat që kemi bërë me pronarët, sipërfaqja e godinës është 1000 m2 dhe është e ndarë në disa pjesë. Në ato pjesë ku nuk ka materiale plastike, nëpër korridore, ne kemi bërë kontrollin që në ditën e djeshme duke u futur me pajisje speciale. Nuk kemi konstatuar trupin e këtij punonjësi. Puna jonë është e përqendruar tek magazina. Ishte e pamundur që të bëhej një ndërhyrje normale sepse është nën tokë. Punonjësit futen grupe grupe atje dhe po punojnë. Këto zjarre janë shumë të rrezikshme dhe nuk mund të flasim me siguri se kur do të izolohet i gjithë zjarri për shkak të objekteve plastike atje.”-tha kreu i zjarrfikësve Goxhaj.