24 orët e tragjedisë në Fier! Burri i merr jetën të shoqes shtatzënë dhe më pas i jep fund vetes

 24 orët e tragjedisë në Fier! Burri i merr jetën të shoqes shtatzënë dhe më pas i jep fund vetes

Dhuna në familje vjen sërish e kësaj here në formën e një tragjedie të shumëfishtë.  Ditën e djeshme një grua vetëm 28 vjeçe, pushoi së qeni nga duart e të shoqit 29 vjeçar. E ndjera ishte shtatzënë pak javëshe me fëmijën e tretë dhe u përball me një fund të dhimbshëm. U godit rreth 30 herë me thikë nga burri i saj me inicialet D.M, në sy të dy fëmijëve (një vajzë dhe një djalë).

Mbetet për t’u konfirmuar nga mjekësia ligjore nëse e ndjera ishte shtatzënë ashtu siç konfirmojnë familjarët.

Ende nuk dihet se kush mund të ketë qenë shkaku i përplasjes në çift, pasi familjarët për median kanë thënë se ata shkonin mirë dhe nuk kishin probleme. 28 vjeçarja me inicialet I.M ndërroi jetë për shkak të goditjeve të shumta, të cilat i mori në pjesë të ndryshme të trupit dhe në pjesën e qafës.

Ngjarja rrëqethëse ndodhi në lagjen Sheq i Madh në Fier. Pas krimit të rëndë autori u largua, duke lënë pas të shoqen dhe dy jetimët, përkatësisht 6 dhe 4 vjeçarë.

Policia u vu në ndjekje të tij përgjatë gjithë ditës së djeshme. I riu u gjend vetëm sot, në vendin ku hidhen plehrat e qytetit, i njohur si ‘Vija e ngjalës’. Ai u konstatua nga banorë të zonës, ishte i vdekur.

Autoritetet konfirmuan se ai mund t’i ketë marrë jetën vetes, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike. Trupi i tij u dërgua në morg për të zbuluar përmes ekspertizës, momentet e tij të fundit dhe formën me të cilën ai ndërroi jetë.

Ndërkohë sot në banesën e çiftit janë hapur dyert e mortit. 28 vjeçarja pritet të përcillet sot në banesën e fundit.