26 udhëtarë që shpëtuan pa lëndime serioze do të nisen drejt Kosovës! Sot mbërrijnë dhe trupat e 10 të ndjerëve

 26 udhëtarë që shpëtuan pa lëndime serioze do të nisen drejt Kosovës! Sot mbërrijnë dhe trupat e 10 të ndjerëve

26 udhëtarë që ndodheshin në autobusin ku humbën jetën 10 persona, pritet të mbërrijnë këtë të martë në Kosovë. Po ashtu dhe trupat e 10 viktimave të aksidentit tragjik të së dielës.

Media kroate raporton se 26 pasagjerë do të nisen me autobus drejt Osijek, ku i pret aeroplani për në Kosovë. Këta të fundit kanë qëndruar në godina hoteliere pas lirimit të tyre nga spitali. Ditën e djeshme disa prej pasagjerëve që nuk ishin lënduar, kanë lënë territorin e Kroacisë përmes mjeteve të tyre (me familjarët apo gjetkë), raporton media kroate.

“Sot në 16:30, në marrëveshje me ambasadën, do të organizohet transporti me autobus për të gjitha të lënduarit të gatshëm për transport, të cilët do të dërgohen në Osijek, ku po i pret një aeroplani që do të niset për në Prishtinë”, raporton media kroate Index.hr.

Lajmin e ka konfirmuar dhe Ministri i Shëndetësisë së Kosovës Arben Vitia, i cili shkroi në rrjetin social këtë mesazh.

“Pas diskutimeve të fundit me menaxhmentin e spitalit ne Sllavonski Brod dhe Ministrin e Shëndetësisë Vili Berosh, tani më janë liruar 26 bashkëatdhetarë të cilët ndihen mirë dhe janë vendosur në ambiente të përshtatshme. Sonte po përgatitet kthimi i tyre në Kosovë. Për momentin në spitalin e Sllavonski Brodit janë ende të shtrirë 15 bashkëatdhetarë nga të cilët dy në njësinë intenzive dhe një prej tyre është ende në gjendje të rëndë”

Ndërkohë trupat e 10 të ndjerëve po ashtu do të mbërrijnë këtë të martë në Kosovë. Ende nuk dihet ora e saktë për shkak të procesit të autopsive nga ana e autoriteteve kroate . Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla u shpreh se do të vijnë sot. Trupat e pajetë do të kthehen në Kosovë me transport rrugor.

Në Kroaci ndërkohë janë ende 15 pasagjerë, të cilët morën lëndime më të rënda, të cilët do të qëndrojnë derisa të jenë rikuperuar. Deri më tani, vetëm një prej tyre ndodhet në gjendje më të rënduar.