3 letrat që përlotën shqiptarinë! Çfarë ndodhi me fatin e tre vogëlushëve që rrezikonin gjithçka

 3 letrat që përlotën shqiptarinë! Çfarë ndodhi me fatin e tre vogëlushëve që rrezikonin gjithçka

Rubini, Endisi dhe Sokoli. Tre fëmijë shqiptarë të cilëve pak kohë u ka mbetur. Duhet të hyjnë menjëherë në operacion ose në të kundërt përgjatë të gjithë jetës së tyre nuk do të mund të flasin e dëgjojnë. Të tre kanë të njëjtin problem, mungesën e dëgjimit.

Emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” i prezantoi të tria rastet e tyre në një, me një shpresë të vetme, arritjen e një shumë prej 72 mijë eurosh për tre transplante kokleare, të domosdoshme që fëmijët të mund të dëgjojnë.

Qindra shqiptarë u përlotën, e sidomos ata që kanë vetë fëmijë, të cilët e kanë kuptuar edhe më shumë dhimbjen që provojnë familjarët kur shohin fëmijët e tyre në pamundësi për të thënë një fjalë. Letra e parë i shkon Manushaqes, nënës së Rubinit. Kjo nënë i ka humbur dy fëmijë ndërsa djalin e madh e ka të sëmurë.

 “Të dashur prindër të Rubinit, historia plot vuajtje dhe forca për të përballuar të gjitha dhimbjet që i kanë rënë familjes suaj na ka prekur jashtë mase. Humbja e dy fëmijëve të parë është e papërshkrueshme për dy prindër, por ju gjetët forcë që dy prej dhuratave të Krijuesit, fëmijët tuaj të parë, t’ia dorëzonit Zotit, duke qenë ende foshnje. Por kjo dhimbje nuk do të mbaronte këtu. Arditit i duhen ilaçe, plot një milionë lek në muaj. Gjithçka që ju fitoni nga puna i shpenzoni për ilaçet e tij. Të sprovuar nga fati, mes frikës ju sollët në jetë vajzën Klejdën, e cila fatmirësisht nuk ka asnjë problem. Rubini, djaloshi i ëmbël dhe i qeshur, erdhi tek ju si një fëmijë normal. Por edhe këtë herë fati nuk buzëqeshi as atij, dhe as juve. Manushaqe, tek ju pamë nënën heroinë, që nuk dorëzohet e që bën gjithçka, për fëmijët e saj. Nënën e fortë por që zemrën e ka të lënduar, sikur mos të mjaftonte i gjithë kalvari i vuajtjeve që kaluat, sot Rubini nuk dëgjon dhe nuk flet. Nuk i dëgjon dot fjalët e tua të ngrohta. Por ai arrin të ndjejë dashurinë tuaj. Arrin të ndjejë zemrën tënde që rreh veç për të. Ai sot nuk e di dhe nuk e kupton që të gjithë shqiptarët sot janë çuar në këmbë. Kjo letër mban ndoshta, përgjigjën më të rëndësishme. Rubini ishte i pari, por bashkë me të ne morëm përsipër edhe dy bashkëmoshatarët e tij, Sokolin dhe Endisin. Kjo na i ka vështirësuar shumë punën. Shuma e operacionit ishte e madhe për të tre. Por ne nuk mund t’i ndanim. Ndoshta ndonjëherë dukemi edhe të këqinj nga pamundësia për t’i ndihmuar të gjithë dhe për këtë u kërkojmë shumë falje nevojtarëve. Por sot shqiptarët pasi panë lotët e nënave vendosën ti thonë PO operacionit të Rubinit. Ndaj le të nisemi pa humbur kohë drejt spitalit, sepse implanti koklear për djalin tuaj ka mbërritur bashkë me stafin e mjekëve nga Viena, për ti dhënë një shanc Rubinit. Për t’i dhënë atë që nuk e ka pasur kurrë dëgjimin!”

Letra e dytë është për nënë e Sokolit, ndërsa nënës së tij Liljanës i dridhet zëri teksa e lexon:

Liljana, ne e dimë që je prekur shumë, ke shpresuar për vite të tëra që Sokoli do të operohet dhe do të dëgjojë. Dimë që shpesh herë i ke humbur shpresat, bashkë me vjehrrën tuaj gjyshen e Sokolit. Nuk keni lënë derë pa trokitur por pa gjetur asnjë zgjidhje. Dimë që do bënit çdo gjë për Sokolin pa hezituar aspak. E dimë që do të hiqnit dorë nga jeta juaj vetëm që Sokoli të dëgjonte dhe të fliste. Vetëm e vetëm që drita e syve tuaj të kishte një jetë normale. Sokoli është rritur, është zgjatur dhe ka fytyrë engjëllore, brenda tij ai ka pak tinguj por ka plotë ngjyra, ai është i lumtur. I rrezatohet në fytyrë, në gjestet e mimikë. Ai është gjithçka për ju, dhe ju jeni gjithçka për të. Sokol ka nevojë për mbështetjen, dashurinë dhe ngrohtësinë tuaj. Ne jemi të bindur se ju ja keni ofruar këtë. Por ka pasur edhe momente kur jeni demoralizuar, ju ka kapluar pesimizmi dhe jeni dorëzuar përpara fatit. Por ne jemi sot këtu për tu thënë që ju mos të dorëzoheni kurrë. Sado errësirë të ketë jeta gjithmonë  do të ketë një dritë në fund të tunelit dhe është vetëm çështje kohe se kur do të arrini tek kjo dritë.

Liljana, ti mungove në festën e abetares së Sokolit, sepse nuk mund të shihje dot teksa fëmijët e tjerë recitonin dhe këndonin, ndërsa djali yt nuk mund të recitonte, nuk e dije nëse do ti përmbaje lotët dhe do ta duroje dhimbjen. Më vonë kuptove se kishe bërë gabim. U pendove sepse e kuptove se atë ditë, ai kishte më shumë se kurrë nevojë për ty. Por ja që nuk e ktheve dot mbrapsht kohën, mos u mërzit, ne jemi këtu për të të thënë se ti nuk do kesh më arsye ti shmangesh festave dhe aktiviteteve të djalit tënd të dashur, sepse shqiptarët kanë vendosur ti thonë PO operacionit të djalit. Paratë e nevojshme për operacionin janë mbledhur. Paratë do të nisen menjëherë drejt spitalit sepse implanti koklear për djalin tuaj ka mbërritur, bashkë me stafin e mjekëve nga Vjena, për t’i dhënë një shansSokolit që të dëgjojë zërin tënd dhe të të thërrasë mami!

Në letrën dorëzuar prindërve të Endisit, shkruhej:

“Sonila dhe Endisi, para 5 viteve ju u larguat nga Korça, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë në kryeqytet. Morët një apartament të vogël me qira dhe filluar punë.

Si çift i ri i dashuruar pas njëri tjetrit ju prisnit një fëmijë. Ju u përballët me sprova të mëdha që në lindje të fëmijës, ju u përballet me frikën nëse djali del i gjallë nga operacioni apo jo. Pasi Endisi ishte vetëm një foshnjë, ai u bë gjashtë herë operacion në kokë. Ishit përgatitur për tu përballur me çdo të papritur që fati mund tu rezervonte. Fatmirësisht Endisi ia doli! Ju mësuat se djali juaj nuk dëgjonte e as mund të fliste. Lotët u bënë pjesë e jetës suaj. Kur mësuat për vendosjen e implantit kokelar një shpresë u ndez por nuk mund ta përballonit dot shumën. Shqiptarët u janë përgjigjur lotëve tuaj, jemi këtu për tu thënë se paratë për operacionin janë mbledhur, prandaj le të nisemi menjëherë drejt spitalit sepse implanti koklear për djalin tuaj ka mbërritur bashkë me stafin e mjekëve nga Vjena, për t’i dhënë një shans Endisit.”

Falë ndihmës së shqiptarëve, shuma prej 72 mijë eurosh u arrit dhe tashmë përgatitjet nisën që të tre vogëlushët të shkojnë drejt operimit. Elvis naçi i takoi familjarët pas analizave që ata kryen dhe u premtoi se edhe nëse në Shqipëri nuk arrihet të kryhet operacioni, fëmijët do të shkojnë në Austri.

Naçi: Nëse mjekët thonë që këtu do të kryhen operacionet, ne do ti bëjmë këtu por nëse mjekët mendojnë se ndonjë rast duhet të kryhet në Austri, ne do ta mundësojmë që operacioni të kryhet atje.

Gjithmonë nëse ka nevojë, një profesor tha se do të vij në Shqipëri për ti mësuar prindërit sesi të ushtrojnë fëmijët e tyre të përparojnë me shpejtësi.

Por pas parjes së analizave, mjeku austriak i ardhur enkas për të tre fëmijët dha disa lajme që nuk priteshin. Lajmi më i vështirë ishte ai për Sokolin, pasi vogëlushi ka një problem të lindur. Mjeku tha se do të konsultohet me kolegët në Austri për t’i gjetur një zgjidhje. Rubini nga ana tjetër ishte gati për operim, ndërsa Endisi fillimisht duhet të kryejë një mjekim pasi ka mish të huaj në veshin e mesit. Pas kurimit ai është gati për operacionin.

Mjeku: Sokoli, është një rast i vështirë sepse në ekzaminimet që i bëmë, vumë re që kishte një keqformim shumë të rëndë dhe me shumë mundësi i mungon nervi koklear, nervi i dëgjimit, në të dy veshët. Për të bërë këtë ndërhyrje kemi nevojë që të gjejmë nervin koklear për të stimuluar trurin më tej. Këtë rast unë do ta diskutoj me kolegët e mi në Austri dhe shpresojmë që të gjejmë një zgjidhje tjetër përveç implantit.

Pas shpjegimit të mjekut të nesërmen gjithçka ishte gati për Rubinin. Ai është i pari që hyn në operacion. Nëna e tij e ka të vështirë të ndahet nga djali dhe nuk pushon dot nga lotët.

Mjeku: Operacioni shkoi mirë. Hap pas hapi shkoi mirë dhe nuk pati komplikacione. Elektroda është tek djali tashmë dhe ajo do e mundësojë që ai të dëgjojë shumë shpejt. Tashmë është koha e rehabilitimit.

Babai i Rubinit: Faleminderit të gjithë shqiptarëve. Nuk kam fjalë për të thënë, ju falënderoj.

Endisi gjithashtoi hyri në operim për të hequr mishin e huaj nga veshi i mesit dhe fatmirësisht gjithçka doli mirë.

Nëna e Endisit: Doli shumë mirë nga operacioni. Jemi shumë të gëzuar dhe tani presim të përballemi me sprovën më të madhe… t’i sjellim dëgjimin djalit tonë.

Në emisionin “shqiptarët për shqiptarët”, Elvis Naçi falënderoi të gjithë shqiptarët që iu bashkuan nisëm për të mbledhur një shumë kaq të madhe sa 72 mijë euro si dhe premtoi se rasti i Sokolit do të ndiqet deri në Austri.

Naçi: Të them të drejtën edhe ne do të kishim dëshirë që të shkonte siç duhet, por duke qenë se në moshë ishte më i madh ai ka disa specifika, por jo të pamundura. Mjeku tha se do të flasë me mjekët dhe me fabrikën ku bëhen aparatet në fjalë. Ne do t’i japim shqiptarëve se çfarë po ndodh me Sokolin dhe ne do bëjmë gjithçka që Sokoli të dëgjojë dhe flasë.