36 vjeçari shqiptar shpallet fajtor për vrasjen e nënës e babait, zbulohet motivi

 36 vjeçari shqiptar shpallet fajtor për vrasjen e nënës e babait, zbulohet motivi

Gjykata e Suedisë ka vendosur të shpallë fajtor për vrasjen e prindërve të tij, 36 vjeçarin shqiptar Adriatik Hadri. Ngjarja tronditëse ndodhi vitin e kaluar në Prizren, ku djali me prindërit kishin mbërritur për të kaluar disa pushime (familja jetonte e punonte prej vitesh në Suedi).

Pikërisht në këtë banesë u gjetën të pajetë Durim e Suada Hadri. Sipas ekspertizës së kohës ata ishin qëlluar me armë zjarri. Pas krimit, i dyshuari kryesor mbeti i biri i çiftit, Adriatiku. Ky i fundit ishte larguar ditën e ngjarjes dhe u arrestua në mars të vitit të kaluar.

Banesa ku u gjet i pajete çifti Hadri. Foto e postuar nga Gazeta Express

Një vit pas kësaj ngjarje, hetimet të cilat u kryen në Suedi, kanë përfunduar dhe gjykata e ka gjetur fajtor 36 vjeçarin. Pavarësisht verdiktit, ende nuk është dhënë masa e burgimit, pasi pritet që mbi të riun të kryhet një ekspertizë për vlerësimin e shëndetit mendor.

Prokurori i rastit në Suedi, Olof Calmvik, ka folur për median në Kosovës (Gazeta Express) ku ka njoftuar se Adriatiku është shpallur fajtor.

“Gjykata ka gjetur se ai është fajtor për vrasjen e prindërve të vet dhe tani është duke iu vlerësuar shëndeti mendor para se ata (gjykata) të arrijë një vendim”, ka thënë Calmvik.

Ai është deklaruar edhe për motivet që dyshohet ta kenë shtyrë 36-vjeçarin për këtë veprim.

 “Ne dyshojmë se të hollat kanë qenë një nga motivet, por do të doja të pres për vlerësimin mendor dhe vendimin para se të bëj ndonjë koment për këtë”, tha prokurori në përgjigje të interesit të gazetës Express