4 vite luftë me kancerin, rrëfimi emocional i gruas: Falini nënës një vizitë tek mjeku, lulet fyshken

 4 vite luftë me kancerin, rrëfimi emocional i gruas: Falini nënës një vizitë tek mjeku, lulet fyshken

Prej 4 vitesh përballet me kancerin në vezore. Edhe pse sëmundja i ka prekur organe të tjera në trup, ajo mbetet optimiste, një shembull i mirfilltë se jeta duhet jetuar dhe jo braktisur.

Kjo është Ana Tafili dhe në ditën botërore të kancerit, ajo ka përcjellë një mesazh sensibilizues pë gratë e vajzat që përballen me këto sëmundje të rënda.

 “Kam bërë një operacion në Insitutin e Tumorit në Milano dhe pas kësaj kam marrë një emocion shumë të fortë sepse jam ngritur brenda dy ditësh. Doktori më tha se ke një forcë të jashtëzakonshme dhe mendoj se t’i do të luftosh deri në fund. Pasi u bëra operacion bëra 6 cikle kimioterapie të forta ku humba flokët, qerpikët. Pastaj kam bërë dhe 20 kimio të tjera për të bllokuar sëmundjen, që të mos zhvillohet prap. Pas dy vitesh m’u kthye prap dhe tani jam në gjendje të rëndë sepse tani ka prekur mëlçinë, pankreasin, stomakun.

Kam bërë gjithë verën 10 cikle të tjera kimioterapie dhe nuk arrijnë dot ta bllokojnë. Duke qenë shqiptare kokëfortë, vajta në Insitutin më të madh në Europë dhe ngula këmbë, pasi mjekët më thanë se nuk investojnë për një person që është në këtë fazë. I binda me pozitivitetin tim dhe këto ditë po pres një kurë eksperimentale, nuk do të më kurojnë komplet, por për momentin do të bllokojnë kancerin dhe mund ta shtyj dhe pak.

Mesazhi im për të gjithë djemtë dhe burrat në të githë botën ku ndodhen. Ku ka dashuri më të madhe sesa jeta, në vend që të falim tufa me lule, që pas një farë kohe do t’i hedhësh, më mirë të falin një vizitë tek gjinekologu. Për mendimin tim nuk ka dashuri më të madhe sesa t’i falësh jetën nënës apo bashkëshortes tënde.“, u shpreh Ana në një lidhje për emisionin ‘abc e mëngjesit’.