5 vjeçarja nxirret me varkë nga fshati i përmbytur në Shkodër

 5 vjeçarja nxirret me varkë nga fshati i përmbytur në Shkodër

Një vajzë 5 vjeçare nga Oboti është nisur me urgjencë drejt spitalit të Shkodrës për shkak të problemeve shëndetësore, teksa transportimi i saj është bërë me varkë.

Vajza kishte shfaqur simptoma të helmimit mbrëmjen e djeshme, por situata e rëndë në zonë, ku përmbytjet kanë vënë poshtë ujit rreth 3 mijë hektarë tokë, e ka bërë të pamundur ndërhyrjen në ndihmë të së miturës.

Sot ajo u transportua me varkë deri në rrugën kryesore, pasi për shkak të niveleve të larta të ujit as mjetet e ushtrisë nuk e kanë patur të mundur të hyjnë më në thellësi të fshatit.

Infermieri Vinçens Gocaj i cili mbajti në krah vajzën deri tek ambulanca tha në një prononcim për median se 5 vjeçarja ka patur disa simptoma, si të vjella e dhimbje stomaku.

“Familjarët kanë njoftuar që mbrëmë por për shkak stuhisë nuk ka pas mundësi lëvizja e tij dhe gjendja e 5 vjeçares është mbajtur përmes komunikimit me mjekun e familjes. Po bëjmë 25 vjet në ujë dhe situata është përditë e më keq nuk kujdeset askush”, tha infermieri.

Fshati i Obotit mbetet një ndër zonat më të prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit në Shkodër.