6 prej të lënduarve në aksidentin tragjik ende në spitalin në Kroaci, si është gjendja e tyre

 6 prej të lënduarve në aksidentin tragjik ende në spitalin në Kroaci, si është gjendja e tyre

Kanë kaluar tashmë dy javë nga ngjarja tragjike në Slavonksi Brod të Kroacisë, ku një autobus me targa të Kosovës u aksidentua e për pasojë ndërruan jetë 10 persona e dhjetëra të tjerë mbetën të lënduar.

Këtë të shtunë autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se ende sot në spitalin e Brodit ndodhen 6 pacientë që vijojnë trajtimin mjekësor në Kroaci.

“Gjashtë qytetarë të lënduar në aksidentin tragjik në Kroaci ende janë në trajtim mjekësor në spitalin e Slavonski Brodit. Gjendja e tyre shëndetësore është stabile dhe ata janë në përkujdesin e mjekëve dhe vëmendjen e zyrtarëve të Ambasadës së Kosovës në Kroaci, të cilët janë në dispozicion për çdo kërkesë të spitalit lidhur me pacientët”, thuhet në njoftim.

Në momentin e aksidentit, që ndodhi më 25 korrik në afërsi të Slavonski Brodit në Kroaci, në autobusin që po qarkullonte në linjën Frankfurt- Prishtinë kanë qenë 67 pasagjerë dhe 2 shoferë. 

Në spitalin “Dr. Josip Benčević” kanë marrë ndihmë mjekësore 42 qytetarë. 10 bashkatdhetarë nuk i mbijetuan aksidentit. Pas përfundimit të trajtimeve mjekësore dhe përmirësimit të gjendjes shëndetësore, në Gjermani janë kthyer me aeroplan 7 qytetarë, ndërsa njëri me transport të veçantë. Në Kosovë, në formë të organizuar dhe privatisht janë kthyer 53 qytetarë.