79 vjeçari nga Kosova që jeton me 5 plumba në trup

 79 vjeçari nga Kosova që jeton me 5 plumba në trup

Lufta në Kosovë atë dhe djalin e gjeti nën armë për të mbrojtur atdheun. Shpesh herë i kujtohet ajo luftë dhe uniformën e UÇK-së e mban përherë afër me veten.

Ky është Hajzer Duraku nga fshati Buroje i Skënderajt, një prej luftëtarëve që Kosovën e mbrojtën me armë e shpirt. Në një prononcim për Top Channel, Hajzeri tregon se që nga ajo kohë, ai jeton me 5 plumba në trup.

Kam plumba në bel dhe në krah. Me i prek me dorë i dallon plumbat, ato në bel. Kur ndryshon moti e ndjej më shumë, ndikon, por shqetësime të tjera nuk kam”, tha Duraku.

Fatmirësisht asnjë prej plumbave nuk e ka prekur në organe vitale Hajzerin. Me mbarimin e luftës, kushtet e tij financiare nuk e lejuan që të hynte në operime të kushtueshme për t’i hequr plumbat. Por tanimë, mjekët i kanë thënë se nëse i heq ato predha nga trupi, gjasat janë që t’i bëhet më shumë dëm sesa të lihen atje ku kanë qëndruar që në kohërat e luftës.

Djali i tij, Isai tregoi:

“Pas lufte nuk kemi patur mundësi, tani është bërë shumë kohë dhe nuk po bëjnë probleme dhe e kemi lënë. Mjekët kanë frikë se mos po i bëjnë më keq nëse bëjnë ndërhyrje për t’i hequr”

Isai tregoi dhe momentet kur pa të atin të gjakosur nga plumbat. Ai ishte veçse 15 vjeç dhe njëlloj si babai, kishin shkuar në luftë.

“Në një lagje këtu ka qenë më komandantin e tij për të bërë ndërrimin e rojës. Unë kam qenë pas tyre, veç kur kam dëgjuar armën. U ndala duke parë, kur pashë babën duke ecur ngadalë, i thashë ec më shpejt. Por nuk ecte dot, se tha më ka rënë plumbi. U tmerrova, kam qenë 15 vjeç, e ai 59 vjeç. Më duhej ta ndihmoja. Një dentist në një fshat tjetër na ka ndihmuar”, rrëfeu djali i 79-vjeçarit.