81 vjeçari që ka ngjitur majat më të larta të botës

 81 vjeçari që ka ngjitur majat më të larta të botës

Tashmë në kohë pandemie, kur ky 81 vjeçar del nga shtëpia, duhet të vërë maskën për t’u ruajtur nga Covid. Niset për t’u trajnuar në malet përtej Madridrit në Spanjë. E kur fryma i merret prej ngjitjes e maskës, i kujtohet koha kur shkelte në pikat e larta të Himalajeve.

“Është e vështirë të marrësh frymë dhe kjo më kujton momentet kur jam në lartësi të mëdha”, thotë 81 vjeçari.

Pavarësisht moshës, ai ka ngjitur 11 prej 14 pikave më të larta në glob dhe ka ndërmend që të vazhdojë sportin e ngjitjes, derisa të ketë forcë. E çuditshme por ngjitjet më të larta ky burrë me origjinë nga Avila ka nisur t’i kryejë pasi mbushi 60 vjeç. Shpreson shumë që t’i ngjisë të gjitha pikat e mbetura para se fuqitë dhe trupi ta lënë në baltë forcën e vullnetit të tij.

“Rekordi për të cilin jam vërtetë shumë krenar, është se unë nuk kam patur kurrë ndonjë problem serioz dhe nuk më është dashur kurrë të më shpëtojnë. Jam ngjitur dhe kam zbritur me këmbët e mia nga çdo majë”.

Carlos Soria tashmë po bëhet gati që në pranverë e vjeshtë të kryejë të paktën dy ekspedita. Shpreson që situata me Covid nuk do ta bllokojë kësaj here. Para dy vitesh ai iu nënshtrua një operimi në gju. Shumë e këshillojnë që të ndalojë, por i moshuari thotë se gjendja e tij fizike nuk është fare problem.

“Pas operimit kam humbur pak stabilitet në këmbë, pak fuqi e pak mprehtësi në mendje… por kur ngjita Himalajet, nuk u ndjeva për asnjë moment si ai plaku që mendon si do ta shtyjë atë që i ka mbetur. Shumë të moshuar kanë idenë se për ta ka marrë fund, por ka edhe persona të tjerë plot që nuk gjejnë problem të jenë 70 apo më shumë vjeç. Fundja kjo moshë është e mrekullueshme”-thotë Karlos.