9 vjeçe, me tumor në kokë! Edhe kësaj here, shqiptarët janë ata që bëjnë mrekullinë realitet

 9 vjeçe, me tumor në kokë! Edhe kësaj here, shqiptarët janë ata që bëjnë mrekullinë realitet

“Më tha një ditë vajza, mami në shkollë nuk po shikoja mirë, mu errësuan sytë dhe më dhemb shumë koka. Erdha në Tiranë me vajzën dhe bëmë një rezoncancë. Doktori më tha, vajza ka tumor… nuk dëgjova gjë tjetër më.”

Këto janë fjalët e një nëne që përballet me një sprovë të jashtëzakonshme. E bija, Ana, vuan nga tumori në kokë. Shikimi i është dobësuar ndjeshëm vogëlushes, e cila është veçse 9 vjeçe. Nëna e Anës tregoi për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët”, se e ka rritur të bijën mes vështirësive të mëdha.

“Shumë e trembur jam, vajzën mezi e kam rritur, e vetme. Babai i saj na ka braktisur qëkur unë isha shtatzënë. Nuk ka dashur t’ja dijë. Jam përpjekur që vajzës të mos i mungonte asgjë, por kjo është si një bombë për mua, nuk e përballoj dot. Nuk e shoh e duroj dot më, kur shoh vajzën, të më thotë se i dhemb shumë koka. Ajo rrezikon jetën. I kërkoj dashamirësve si Elvis Naçi, i kërkoj ndihmë që ta shpëtoj vajzën time.”-tha nëna e Anës.

Dhe ndihma erdhi brenda 24 orëve. Si kurdoherë, shqiptarët zemërmirë iu përgjigjën thirrjes së kësaj nëne. Dhuruan diçka nga vetja, për t’i dhënë shansin e jetës një 9 vjeçareje.

Lajmin e mirë e pasoi një tjetër lajm i mirë. Tashmë Ana është nisur jashtë shtetit. Do t’i nënshtrohet një operimi delikat në kokë.

Tashmë që shqiptarët e bënë sërish mrekullinë realitet dhe i dhanë një shans të dytë kësaj 9 vjeçareje, nuk na mbetet veçse të lutemi për shërimin e plotë të Anës.