A e prish agjërimin për Ramazan, vaksina anti- Covid? Çfarë thonë mjekët e kleri musliman

 A e prish agjërimin për Ramazan, vaksina anti- Covid? Çfarë thonë mjekët e kleri musliman

Pak ditë na ndajnë nga ardhja e muajit të shenjtë të Ramazanit. Por kësaj here me pandeminë Covid dhe procesin e vaksinimit lindin natyrshëm pyetje. Ndër to më e diskutuara mes njerëzve, ka qenë nëse injektimi i vaksinës gjatë Ramazanit, prish mbajtjen e agjërimit.

Në tërësi ka një konsensus të autoriteteve fetare muslimane në lidhje me këtë çështje.

Idris Bozkurt, një prej përfaqësuesve më të lartë të trupës religjioze muslimane në Turqi, u shpreh në një interviste për Anadolu Agency, se vaksina nuk kanë element ushqyes, e kësisoj nuk e prishin agjërimin.

“Nuk ka asnjë element ushqyes, vitaminik apo ushqimor në asnjë vaksinë, përfshi dhe atë për Covid. Kësisoj injektimi i kësaj vaksine në trup, nuk e prish agjërimin”-tha Bozkurt.

Prof.Dr Ahmet Yaman, që jep mësim në fakultetin e teologjisë (Necmettin Erkaban) u shpreh se Islami ka një perspektivë në lidhje me agjërimin dhe kurimin ndaj sëmundjeve ngjitëse.

Yaman iu referua thënieve të Profetit Muhammed “Nëse dëgjoni për shpërthimin e një murtaje (sëmundje ngjitëse) në një vend, mos shkoni atje; por nëse murtaja spërthen atje ku jeni ju, atëherë mos ikni nga ai vend”.

Sipas interpretimit të Prof. Dr Yaman, Islami i ka vënë një rëndësi të veçantë marrjes së masave për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse.

Profesori iu referua sërish një thënieje të Profetit “Kurohuni, sepse Allahu ka krijuar një kurë për çdo sëmundje”

“Vaksinat nuk e prishin agjërimin. Agjërimin e prish vetëm duke ngrënë, pirë ose përmes konsumimit të marrëdhënies seksuale.”-përfundoi profesori.