“Ajo nuk e do më jetën” Rrëfimi i një nëne, që nuk shpëton dot të bijën nga sëmundja

 “Ajo nuk e do më jetën” Rrëfimi i një nëne, që nuk shpëton dot të bijën nga sëmundja

Kjo nënë e gdhin dhe e ngrys ditën duke u lutur. Sikur të vijë sot a nesër dita, që vajza t’i shërohet. Sikur të ndodhë një mrekulli dhe e bija të mos vuajë ashtu siç ka ndodhur prej mëse 10 vitesh.

Kushedi sesa herë mund ta ketë ëndërruar të bijën duke buzëqeshur, duke jetuar pa vuajtje.

Emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” udhëtoi drejt fshatit Stravaj të Përrenjasit, atje ku na priti një nënë e një baba që prej kohësh e kanë humbur shpresën dhe presin me frikë ditën kur e bija mund të mos jetë më mes tyre.

Që nga viti 2008 Ketiana është prekur nga skolioza. Sëmundja është agravuar aqsa trupi i Ketianës është deformuar ndjeshëm. Nëna e Ketjanës na rrëfen se e bija qëndron thuajse tërë ditën e shtrirë mënjanë. Prej vitesh ajo nuk fle dot e shtrirë me kurriz. Lotët i rrjedhin lumë kësaj gruaje, e cila pyet mendjen e saj…. si arrin ta durosh kaq shumë dhimbje?

Nëna: Unë jam ndjerë shumë e shqetësuar… më vjen mirë mua ta shoh fëmijën ashtu të shtrirë? Është shumë keq… të tjerët luajnë me shokët, dalin, vajza ime mbeti kështu (qan) Ajo nuk fle dot natën, nuk e shtrin dot kurrizin, fle përherë në një anë. Nuk mbushet dot me frymë, bukë nuk ha dot. Tërë ditën rri aty shtrirë. Ndonjëherë ngrihet e del përjashta, më thotë që mërzitet. Ajo thotë unë nuk dua asgjë, jeta ime… (qan) kot që rroj më thotë vajza.

Është kjo nënë që me lejen e të bijës na tregon sëmundjen që ka kapur ekstremin e dhimbjeve. Po sesa e madhe është vuajtja e di veçse shpirti i kësaj gruaje.

Ashtu siç na thotë babai i Ketianës, mundësitë financiare janë fare të pakta. Nëna e Ketianës na tregon se mezi ia dalin të ushqehen.

Nëna: Të ardhura nuk kemi. Mezi po ja dalim për bukën. Po të kisha para do e kisha rregulluar vajzën, asgjë nuk dua, në çadër do rrija që ajo të bëhej mirë.

Çfarë lutje tjetër mund të ketë një nënë që nuk mund t’ja heqë vuajtjet të bijës.

“Vajza më thotë ishalla më ndihmon Zoti, mbase do ketë dhe një ditë për mua.

Unë i lutem njerëzve, që të kontribuojnë për vajzën time, që ajo (qan) të mos vdesë… se ajo është e re”-thotë nëna.