Ali Sami Yen! Si e themeloi djali i Sami Frashërit klubin e parë të futbollit në Turqi

 Ali Sami Yen! Si e themeloi djali i Sami Frashërit klubin e parë të futbollit në Turqi

Ali Sami ka lindur më 20 maj të vitit 1886 në Stamboll. Mbiemrin e ka Frashëri, pasi babai i tij është Samiu, shkrimtar, filozof dhe një ndër figurat themelore të Rilindjes shqiptare.

Ali Sami studion në vitet e gjimnazit në shkollën e Galatasarait në Stamboll dhe në ato kohë zbulon pasionin dhe dashurinë për futbollin. Sporti më i dashur në glob, në atë kohë në Turqi ishte thuajse i panjohur. Të vetmit që luanin futboll në fund të shekullit të XIX ishin disa emigrantë britanikë që jetonin në Izmir.

Futbolli vjen në Stamboll në fillim të shekullit të XX. Në vitin 1904 themelohet Liga e Kostandinopojës, ku kishte vetëm ekipe ku luanin të huajt (në tërësi britanikët). Lojtarët turq nuk mund të hynin në këtë ligë. Por në vitin 1905, Ali Sami themelon me miqtë e tij klubin e “Galatasaray”. Deri në vitin 1918 qëndroi si President i klubit, ndërsa më pas Ali Sami Yen u bë drejtues i komitetit Olimpik në Turqi, trajnoi kombëtaren e futbollit në ’23 në ndeshjen e parë ndërkombëtare (me Rumaninë) si dhe u impenjua në zhvillimin e sporteve të tjera në Turqi.

Fotot e themeluese te klubit, mes tyre dhe Ali Sami Frasheri

Me ardhjen ne pushtet të Ataturkut dhe reformën e kodit civil, Ali Sami Frashëri ndërroi mbiemrin e tij në Yen (nga fjala ‘yenmek’- qe do të thotë të fitosh).

Si krijuesi i ekipit të parë të futbollit në Turqi, emri i tij qëndroi në stadiumin e Galatasaray-t nga viti ’64 deri në 2011, kohë kur godina u rrëzua, ndërsa klubi ndërroi ‘shtëpi’ në stadiumin e ri (Turk Telekom Stadium).