“Amanet Shqipërinë” Historia e intelektualit që u pushkatua nga shoku i klasës

 “Amanet Shqipërinë” Historia e intelektualit që u pushkatua nga shoku i klasës

Kjo është historia e një nacionalisti dhe intelektuali që luftoi për Shqipërinë e shqiptarët, por që në vend të ëndrrës për liri, gjeti një fund tragjik.

Fjala është për Ajdin Kullën, një njeri i shkolluar, që luftoi pushtuesit italianë/nazistë së bashku me burrat e familjes e të tjerë nacionalistë.

Ai së bashku me xhaxhain e tij Ganiun ishin ndër patriotët që ndihmuan partizanët në luftën nacional-çlirimtare. Ata arritën të lironin nga duart e nazistëve një sërë partizanësh të arrestuar si dhe arritën të parandalojnë raprezaljet e ushtrisë gjermane në dy fshatra (Menkulasi e Poncara).

Por pavarësisht, me ardhjen në pushtet të komunistëve, këto akte nuk do të shërbenin për t’i hequr nga supet akuzat tipike të regjimit se ata ishin “armiq” e kundërshtarë të “miqve” jugosllavë. Familja Kulla ishte mbështetëse e Mbretit Zog dhe u pa nga koministët si një tjetër e “keqe” që duhej zhdukur sa më parë. Ajdini dhe xhaxhai i tij do të arrestoheshin e më pas pushkatoheshin si ‘armiq të popullit”. Në qershor të vitit ’45, së bashku me të tjerë nacionalistë, këta dy burra u pushkatuan në afërsi të Korçës e Bilishtit. Ajdini së bashku me të tjerët u çua në pushkatim nga shoku i tij i klasës në Normalen e Elbasanit, Nevzat Haznedari.

Ne foto, Nevzat Haznedari

Gjatë kohës së arrestimit (nëntor 44’) dhe qëndrimit në burg, Ajdin Kulla do t’i mësonte të burgosurve të tjerë anglishten (ai zotëronte tre gjuhë) dhe do të shkruante një testament.

“Largohem nga kjo jetë e rremë, i përvëluar si shqiptar për një Shqipëri që unë dëshiroja. Dhëntë Zoti, të vijë dita dhe ta gëzoni ju dhe të vegjëlit që do të vijnë pas nesh dhe gjithë ata që i kanë thënë vetes shqiptarë të vërtetë.”-shkruhej në testament (më poshtë i plotë)

Ajdini kreu shkollimin fillor në Korçë, më pas vijoi në shkollën e “Harri Fulltz” e më pas në Normalen e Elbasanit për degën e mësuesisë. Në Normale ai ishte nxënësi më i dalluar.

Dokumenti për ekzekutimin e Ajdinit dhe të tjerëve nacionalistë, i firmosur nga shoku i klasës së tij, prokuror Haznedari

Dokument i publikuar nga kujto.al

TESTAMENTI i Ajdin Kullës

Testamenti im pas vdekjes

Me lutje t’u dorëzohet Mëmës, Vëllezërve, Zonjës dhe dy fëmijëve të dashur shumë.

– Gjithëçka të ma bëni hallall.

– Amanet gruan dhe dy fëmijët. Gruaja të pyetet, nëse do të mundet të qëndrojë pa u martuar… Ti, mëmë, ta mbash si çupë, dhe vëllezërit si motër; fëmijët, si dy fëmijë pa babanë e tyre të dashur.

– Duhet ta dini që po vritem si shqiptar dhe jo si tradhtar. Për mua, të rrojë Shqipërija, të rrojë Flamuri Kombëtar i Shqipërisë.

– Po mundët, qëndroni së bashku pasi u ndamë.

– Fëmijët mos m’i lini pa shkollë dhe sidomos, djalin, Jonuzin e dashur.

– Motrën t’a doni dhe martojeni me një person të ndershëm dhe jo të pasur e rrezil.

– Me vëllezërinë dhe kushurinjtë të shkoni mirë.

– Miqtë t’i duani dhe t’i nderoni, ashtu siç dini ju.

– Xhevitin ta martoni dhe nusen e këtij ta keni kujdes. Më vjen keq që s’e pashë Xhevitin…

– Hamdiut, amanet motrën e tij, pra- zonjën time dhe dy fëmijët.

– Merdanëve, amanet mëmën, vëllezërit, motrën, zonjën e të dy fëmijët…

– Po të mundeni eshtrat e mia të m’i vendosni pranë babës tim të shumë dashur, në Zëmblak.

– Largohem nga kjo jetë e rremë, i përvëluar si shqiptar për një Shqipëri që unë dëshiroja. Dhëntë Zoti, të vijë dita dhe ta gëzoni ju dhe të vegjëlit që do të vijnë pas nesh dhe gjithë ata që i kanë thënë vetes shqiptarë të vërtetë.

– Largohem nga kjo botë e gënjeshtërt pa i bërë njeriut as një të keqe, përveçse të mira. E do ta tregojë koha.

– Përfundoj duke u larguar nga kjo jetë i mallosur dhe i dashuruar prej jush, vëllezërisë e miqësisë. E Zoti na pjektë në jetën tjetër.

Juaji, i pa haruar

Ajdin Jonuz Kulla

Në burgun e Korçës, 18/ VI / 1945