“Amaneti i babait shkoi në vend falë shqiptarëve” Çfarë ndodhi me dy jetimet që jetonin në varfëri

 “Amaneti i babait shkoi në vend falë shqiptarëve” Çfarë ndodhi me dy jetimet që jetonin në varfëri

Kur ‘Shqiptarët për shqiptarët’ treguan historinë e saj, Fjorela 16 vjeçe ende qante për humbjen e të atit një vit më parë. Kujtonte amanetin që ai i kishte lënë, teksa dergjej në spital.

Ja ku jetonin dy vajzat jetime

“I kishin vënë oksigjen dhe më tha t’I afrohem. Dëgjo kam dy fjalë më tha. E para ruaj mamin e motrën dhe e dyta shpjere mamanë deri në fund kur… (qan). Pastaj dola. Më pas më shoqëroi gjyshi, kam ardhur vetë me furgon këtu në Pogradec. Mua nuk më treguan. Kur unë erdha këtu babai kishte vdekur… kemi parë fatkeqësi.”-thoshte Fjorela, ndërsa lotët nuk i pushonin.

Familja Çollaku nga Gështenjasi i Pogradecit, ishte e zhytur në borxhe në thuajse çdo dyqan ku blinte ushqimet. Dy motrat dhe e ëma e shtynin muajin me 10 mijë lekë të reja, para që nuk I dilnin as për t’u ushqyer.

Por fatkeqësia u largua nga kjo familje falë zemrave të shqiptarëve dhe emisionit ‘Shqiptarët për Shqiptarët’. Fatma Naçi e Meri Bejleri vizituan dy jetimet për t’i dhënë lajmin e madh se ato do të kishin tashmë një shtëpi të tyren dhe se borxhet i ishin paguar.

Ku jetojne sot jetimet fale shqiptareve

Historia e tyre u tregua në dhjetor të vitit që lamë pas, por çfarë ka ndodhur një muaj më pas me vajzat?

Fjorela kujton ditët e trishtimit dhe thotë për ‘Shqiptarët për Shqiptarët’ se pas thirrjes në emision, e gjithë jeta e saj mori një kthesë të bukur.

Fjorela: Pas vdekjes së babait, barra më e madhe e shtepisë ra mbi mua. U desh të luaja rolin e kryefamiljares e shpresat e mia për një banesë u shuan. Kurrë nuk e besoja se thirrjet e mia do të dëgjoheshin pas thirrjes në emisionin shqiptarët për shqiptarët, jeta mori një kthesë shumë të bukur.

“Atë ditë kur erdhi teta Fatma dhe teta Meri u ndiem si dy princesha. Asnjëherë nuk kisha patur rroba aq të bukura sa ato që mi dhuruan. Kur hyra në shtëpinë e re, mendova se isha në ëndërr. Kur ka kaluar disa kohë, kam arritur të kuptoj që ëndrrat bëhen të vërteta. Tani jam shumë e lumtur se ëndrra ime u plotësua. Kam një krevat timin, kam një vend ku të bëj detyrat. Ulem me motrën në tavolinë dhe hamë bukë së bashku.”-thotë motra e vogël e Fjorelës.

Fjorela: Nuk kam më atë barrën e madhe që kisha. Tanimë barra m’u lehtësua. Borxhet tona u lanë dhe nuk kemi më frikë se do të na trokasin tek dera. Amaneti i babait tim u çua deri në fund dhe ai na sheh nga lart e është i lumtur shumë.