BE na hoqi nga lista e vendeve të sigurta, çfarë duhet të kenë parasysh qytetarët në Shqipëri

 BE na hoqi nga lista e vendeve të sigurta, çfarë duhet të kenë parasysh qytetarët në Shqipëri

Ditën e djeshme Këshilli i Bashkimit Europian hoqi Shqipërinë nga lista e vendeve të sigurta për të udhëtuar (dhe një sërë vendesh të tjera). Vendimi erdhi si pasojë e rritjes së numrit të personave të prekur nga Covid javët e fundit në Shqipëri, kjo pasi kriteri kryesor mbetet që numri i të infektuarve nuk do duhet të jetë më i lartë se 75 të prekur për 100 mijë banorë.

Në bazë të këtij vendimi, të gjithë shtetasit e Shqipërisë që do të duan të udhëtojnë drejt vendeve të BE-së, do t’i nënshtrohen kufizimeve, veçanërisht për udhëtimet jo thelbësore.

Nëse shtetasit shqiptarë do të duan të udhëtojnë drejt vendeve të BE-së, pajisja me një certifikatë vaksinimi e njohur nga EMA (Pfizer, Astrazeneca, Moderna) parimisht do të jetë e mjaftueshme. (Shiko më poshtë njoftimin për Gjermaninë)

Por jo çdo shtet anëtar i BE-së do të zgjedhë si kusht për të hyrë, një certifikatë vaksinimi. Kjo sepse rregulloret që i përkasin masave anti-Covid, ndryshojnë nga shteti në shtet.

Me fjalë të tjera, mund të ketë shtete të BE-së, të cilat do të kërkojnë një test Covid apo të tjera kushte për të lejuar udhëtimin, ndërsa disa shtete të tjera mund të ndalojnë fare udhëtimin për arsye joesenciale.

Gjithsecili nga 27 vendet anëtare të BE-së do të bëjë publike vendimet apo rregulloret e veta për të udhëtuar drejt shteteve respektive.

Për më shumë informacion mbi rregullat që kanë apo do të mbajnë shtetet për udhëtimin, klikoni në këtë faqe të BE-së  (faqja do të përditësohet)

Kujtojmë se duke nisur nga java e ardhshme, të 27 vendet anëtare do t’i aprovojnë të gjitha rregullat e qëndrimet për të udhëtuar.