Bën 2300 km me biçikletë, për të takuar familjen që i shpëtoi jetën

 Bën 2300 km me biçikletë, për të takuar familjen që i shpëtoi jetën

Në shkurt të vitit 2018, një telefonatë vjen në shtëpinë e Kristinës. Gruaja ngre telefonin dhe zëri në anën tjetër e lajmëron se i biri ka pësuar një aksident gjatë ushtrimeve me një helikopter. 32 vjeçar ishte djali i Kristinës dhe quhej Xhejms. Burri i tha gruas se nëse donte ta shihte të birin sa ishte ende gjallë, do duhej të merrte avionin për të mbërritur atje.

Dhe ashtu ndodh. Gruaja niset me avion së bashku me të shoqin, për të gjetur të birin në spital, lidhur me aparaturat që po e mbanin gjallë. Doktorët i thanë se nuk ka më shanse për të birin dhe se janë aparaturat që e mbajnë ende në këtë botë. Gruaja kupton se po sheh për herë të fundit të birin dhe se kurrë më nuk do ta gjejë duke buzëqeshur.

Xhejms

Vendos ta lërë shpirtin e të birit të prehet në paqe dhe të nderojë kujtimin e tij duke bërë atë që Xhejms kishte bërë përgjatë jetës, të ndihmonte të tjerët.

Pavarësisht dhimbjes së pamatë, nëna e 32 vjeçarit merr vendimin që të dhurojë organet e të birit. Njofton mjekët atje për vendimin, pa e ditur se gjesti i saj do të shpëtonte jetën e tre personave.

Dhe kjo është pikërisht, historia e njërit prej atyre që iu shpëtua jeta nga ky vendim.

Majk Kohen ishte vetëm 18 vjeç, kur u diagnostifikua me leuçemi akute në vitin 2004. Doktorët e paralajmëruan se trajtimi për të shpëtuar nga kanceri do të mund t’i shkaktonte dëme të mëdha në zemër. Por në atë kohë dhe në lule të rinisë, t’i shpëtoje sëmundjes vdekjeprurëse ishte objektivi kryesor.

Majk kreu kemio terapitë dhe trajtimet. Madje lëvizi nga një qytet në tjetrin (Nga New York në San Diego), kjo sepse mjeku i tha se ndryshimi i klimës do t’i bënte shumë mirë. Pas dy vitesh luftë, i shpëtoi sëmundjes. Për të mbajtur të fortë shëndetin, Majk bënte ngjitje në mal dhe xhiro me biçikletë, një hobi kjo e fundit që e ndoqi për dekadën e ardhshme.

Për të festuar 6 vjetorin pa kancer, ai vendosi të bëjë një tur me biçikletë, pa e ditur se zemra e tij kishte nisur të shkatërrohej pak e nga pak. Shëndeti filloi t’i përkeqësohej, derisa në vitin 2017 nisën probleme me dhimbjet në gjoks, një shenjë e qartë se zemra po degradonte.

Kur vëllai i tij e dërgoi Majkun në spital, doktorët zbuluan se kishte një sasi gjaku të mpiksur sa një top golfi në një prej ventrikulave të zemrës.

Gjendja ishte aq serioze saqë u bë gati për t’u operuar pasi zemra po e linte, nuk pomponte më gjak në trup. I vendosën ne zemër një pajisje që e mbajti gjallë, por të bllokuar në shtëpi. Nga trupi i tij dilte një kordë që duhej lidhur me një pajisje që funksiononte me energji elektrike.

E që nga ajo kohë, dukej se jeta e tij kishte marrë fund. Do të mbetej mbyllur në shtëpi me në trup një kordë që e lidhte me një pajisje… Doktorët i thanë se pajisja mund të funksinonte deri në 8 vite. Por fati i keq e ndoqi sërish Majkun. 6 muaj më vonë përfundoi sërish në spital. Sërish zemra e tij kishte mbledhur gjak të mpiksur.

Kësisoj, e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar jetën, do të ishte transplanti i zemrës. Kësisoj, të riut i mbetej vetëm të shpresonte për një dhurim… tjetër gjë nuk i kishte mbetur.

Pas muajve të vështirë në pritje, një infermiere vjen në dhomën e Majkut. I thotë se ka një lajmë të mirë dhe një lajm të keq. I riu po bëhej gati për të dalë nga spitali.

“Sot nuk do të dalësh nga spitali”- i tha infermierja Majkut. “Lajmi i mirë? Lajmi mirë është se është gjetur një zemër për ty”.

E pikërisht të nesërmen, Majku u zgjua me një zemër të re që rrihte në gjoksin e tij. Pas 5 ditësh ai mundi të ngrihej në këmbë. Pas dy javësh shkoi në shtëpi dhe u instruktua të bënte stërvitje e terapi.

Organizata që kishte bërë të mundur koordinimin mes spitaleve për dhurimin e zemrës, i dërgoi dy muaj pas operimit një letër Majkut. Letra ishte shkruar nga Kristina, nëna që humbi të birin dhe i shpëtoi jetën të riut.

Në letër, Kristina kishte shkruar për të birin, një doktor shpirtmirë, patriot dhe përherë në ndihmë të të tjerëve. E teksa Majku lexonte letrën e gruas që i shpëtoi jetën, kuptoi sesa me rëndësi ishte për Kristinën zemra e të birit.

Për koinçidencë, ditëlindja e Majku ishte në të njëjtën ditë që 32 vjeçari kishte humbur jetën. Qëkur lexoi atë letër, Majku do të merrte një vendim. Të rikthehej në këmbë dhe në shëndet të mirë, për të bërë një tur me biçikletë drejt familjes që i shpëtoi jetën.

Mëse një vit kaloi dhe në fund të vitit 2019, ai u bë gati për të udhëtuar plot 2300 kilometra me biçikletë, si një orvatje për të treguar se zemra e tij e re i fali një shans të dytë.

Me ndihmën e një mjeku që udhëtoi së bashku me të, Majk arriti ta përfundojë udhëtimin dhe të paraqitet përballë familjes Çirs (Cheers).

Pas disa ditëve të lodhshme dhe plot 24 gomash të çara biçiklete, Majk takoi për herë të parë Kristinën, e cila më në fund mundi të dëgjojë zemrën e të birit.

Artikulli u publikua nga Rd.com/ Përshtati “Shqiptarët për Shqiptarët.info”