Berat, pas babait edhe djali 36 vjeçar nxirret i pajetë nga rrënojat e banesës së djegur

 Berat, pas babait edhe djali 36 vjeçar nxirret i pajetë nga rrënojat e banesës së djegur

Një ngjarje e dhimbshme. Në Berat tragjedia përmbyllet me dy viktima, babë e bir.

Pas disa orësh kërkime, zjarrfikësit kanë mundur të gjejnë trupin e pajetë të 36 vjeçarit Mateo Vangjeli në banesën e rrënuar nga flakët në lagjen ‘Muzakaj’ në Berat.

Trupi i të riut u gjet i shkrumbuar  rreth orës 13:00, ndërsa i ati 61 vjeçar u nxorr nga rrënojat i pajetë në mëngjes.

Zjarri ra në banesën e familjes Vangjeli në orët e vona të natës. Flakët përfshinë edhe dy banesa të tjera aty pranë si dhe një pjesë të një apartamenti tjetër.

Babë e bir besohet të kenë ndërruar jetë prej asfiksisë, pasi të dy kanë qenë në gjumë. Një pjesë e mirë e tavanit të banesës ka rënë nga flakët, duke e bërë të vështirë gjetjen e trupave. Pas fikjes së flakëve, nisën kërkimet për gjetjen e trupave të viktimave. Në orët e mëngjesit zjarrfikësit nxorrën nga rrënojat 61 vjeçarin Jovan Vangjeli dhe më pas djalin e tij.

Familjarët e viktimës u shprehën se në banesë mund të ishte dhe një mik i 36 vjeçarit, por fatmirësisht nuk rezultoi ashtu.

Vëllai i viktimës tha për median se dyshon se një rezistencë që përdorej për gatim, mund të ketë sjellë tragjedinë në familjen Vangjeli.

Në vijim të informacionit të dhënë në lidhje me zjarrin që ka rënë në lagjen “Muzakaj”, ju informojmë se:

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga grupi hetimor, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është gjetur një tjeter trup i djegur, i cili dyshohet se është shtetasi M.V., i biri i shtetasit J.V.

Trupi i pajetë u dërgua në morgun e Spitalit Rajonal Berat.”-njoftoi policia pas gjetjes së trupit të të riut.