Britanikja që vuri trupin para plumbave serbë, për të mbrojtur fëmijët kosovarë

 Britanikja që vuri trupin para plumbave serbë, për të mbrojtur fëmijët kosovarë

Si sot 22 vite më parë, më 15 janar të vitit 1999, në këtë fshat u shënua një ndër masakrat më të mëdha të luftës në Kosovë. Forcat policore e ushtarake serbe e rrethuan Reçakun dhe vranë 45 civilë, një ditë e tragjedisë që tashmë njihet si Masakra e Reçakut.

Në përkujtim të kësaj dite, më poshtë gjeni historinë e humanistes britanike Sally Becker, e cila iu gjend pranë disa familjeve shqiptare në kohën e luftës.

Radio Evropa e Lirë i ka kushtuar një artikull njërës prej humanisteve që iu gjendën në ndihmë familjeve shqiptare. Fjala është për britaniken Sally Becker, e njohur në atë kohë si ‘Ëngjëlli i Mostarit’, për ndihmën e madhe që ajo u dha fëmijëve në luftën në Bosnje. Becker thotë se gjithçka nisi kur ajo u përball me vuajtjet e fëmijëve.

Becker: Dola me ambulancë në vijën e frontit dhe solla pjesën tjetër, rreth 5 fëmijë të plagosur rëndë. Ndërkohë që po largoheshim, një tjetër shpërthim kishte ndodhur, ku mbetën të plagosur disa fëmijë të tjerë. Doktori më kërkoi që të kthehesha prapa pasi fëmijët e tjerë kishin nevojë. I thashë po dhe kështu nisi ajo punë. Vazhdova me vajtje- ardhjet.

Pas luftës në Bosnje, Becker vendos të shkojë në ndihmë të fëmijëve shqiptarë në Kosovë. Por në atë kohë, Sllobodan Millosheviç kishte vendosur bllokimin e kufijve, duke e bërë edhe më të vështirë ardhjen e ndihmave për shqiptarët e Kosovës. Pavarësisht pengesave, Sally Becker niset nga Tropoja nëpër male, për t’i çuar ndihmat.

Becker: Në Britani mësuam se kufijtë në Kosovë ishim mbyllur prej Millosheviçit. Vendosëm që të vinim përmes Shqipërisë me karvanin e ndihmave nga Tropoja. Kisha një çantë të madhe të mbushur me barna për fëmijët. Ecëm përmes maleve në darkë. Ishte një makth.

Por në fshatin Smolicë të Gjakovës, një familje shqiptare me fëmijët të vegjël i lutet për ndihmë Becker-it, që t’i ndihmojë disa familje të shkojnë në Shqipëri. Dhe ashtu ndodhi. Becker u bind për rrezikun që i kanosej familjeve dhe iu rikthye rrugës në mal për t’i shpëtuar nga serbët. Por papritur, filluan breshëritë e të shtënave nga ushtria serbe.

Becker: E dija se mijëra njerëz e kishin bërë atë rrugë, por papritur nisën të shtënat. Shumica e grupit vrapoi drejt pyllit për t’i shpëtuar plumbave. Por njëra prej nënave mbeti në mes të plumbave, e struktur në një pemë. Ajo ishte Hana dhe po mundohej të mbulonte me trup vajzat, Dritën 10 vjeçe dhe Hanën vetëm 16 muajshe.

Unë s’mund t’i lija aty, pavarësisht se ato ishin në mes të shtënave. Shkova zvarrë tek ato dhe unë dhe Hana po ruanim me trupat tanë fëmijët. Sinqerisht kam qenë në situata të tilla ku fluturonin plumbat dhe në Bosnje, por kurrë nuk kam qenë aq shumë e frikësuar sa atë ditë.

E në këto momente tensioni, një prej ushtarëve serbë i kërkoi Becker-it që t’i thërriste të gjithë shqiptarët, përndryshe do ta vriste.

Becker: Armën ma vendosi në kokë dhe më tha t’i thërras, përkundrazi do të vriste. Aty u zemërova dhe e humba durimin. “Boll kam duruar” i thash ushtarit dhe  bërtitita me sa kisha mundësi “vraponi, vraponi” që të tjerët të iknin.

Për më tepër ndiqni intervistën e plotë në këtë video të REL: