Bukuritë e natyrës, shikoni këto pamje të liqenit rozë në Australi

 Bukuritë e natyrës,  shikoni këto pamje të liqenit rozë në Australi

Australia është një vend i njohur për shumëllojshmërinë e kafshëve, por ky liqen rozë, qëndron në një kategori më vete. I lokalizuar në një ishull në perëndim të brigjeve të kontinentit, liqeni “Hillier” ka tërhequr prej vitesh vëmendjen e shkencëtarëve dhe turistëve, për karakteristikat e tij të pazakonta.

Ngjyra e ujit këtu është rozë. Ky liqen tërheq çdo vit mijëra vizitorë, e veçanërisht ata të apasionuar pas natyrës dhe ‘kapjes’ së shfaqjeve të saj në aparatin fotografik.

Po përse uji këtu ka një ngjyrë krejtësisht ndryshe?

Fillimisht besohej nga shkencëtarët se gjithçka lidhej me nivelet e larta të kripës, diellit e algave, por një studim i kryer disa vite më parë nxorri në dukje se faktor kryesor se përse liqeni kishte këtë ngjyrë, ishte në të shumtën një bakter.

Nga mostrat e marra, rezultoi se në këto ujëra kishte të paktën 10 lloje bakteresh dhe disa specie të algës Dunaliella. Këto baktere e alga kanë një ngjyrë që varion nga e kuqja në rozë.

Por sipas shkencëtarëve që kryen studimin, një lloj i vetëm bakteri, i quajtur Salinibakter, përbën arsyen kryesore se përse uji në këtë liqen ka ngjyrë rozë.

Liqeni shpesh herë “ndryshon” nuancimet e ngjyrës rozë. Liqeni u zbulua në vitin 1802 nga një kartograf e navigator britanik. Për shumëkënd që mund të kuriozojë nëse njerëzit mund të lahen në këtë liqen… përgjigja është po, në liqen mund të lahesh.