Çfarë po ndodh në kufirin Kosovë- Serbi, pamjet me dron 1 ditë pas vendosjes së reciprocitetit me targat

 Çfarë po ndodh në kufirin Kosovë- Serbi, pamjet me dron 1 ditë pas vendosjes së reciprocitetit me targat

Që prej ditës së djeshme, qeveria e Kosovës vendosi të mos lejojë më qarkullimin e automjeve me targa serbe në territorin e vendit, duke aplikuar të njëtën masë (reciprociteti) të vendosur nga Serbia për veturat e regjistruara në Kosovë, të cilat kalojnë në territorin serb.

Vendimi solli një valë reagimesh të forta nga ana e Serbisë, e cila nuk e ka pranuar këtë masë, pavaërisht se vetë e aplikon prej vitesh. Por çfarë është reciprociteti i vendosur nga Kosova?

Shteti i Kosovës nuk do të lejojë tashmë që automjetet me targa serbe të mund të qarkullojnë në territor, pa vendosjen e targave të përkohshme. (Foto më poshtë). Qeveria njoftoi se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia që hyjnë në Kosovë, duhet të paguajnë një taksë 5 euro për targë të përkohshme (prej letre). Vlefshmëria e kësaj targe do të jetë 60 ditë.

Vendosja e kësaj mase ishte paralajmëruar gjatë raundit të fundit të dialogut me Serbinë, ndërmjetësuar nga BE. Njëlloj në Serbi deri më sot, shtetasit që kishin targë të Kosovës e kalonin në kufirin serb, ishin të detyruar të hiqnin targat “RKS” (Republika e Kosovës) e të vendosnin targa të përkohshme (prej letre).

Ndërkohë në pikat kufitare në Bërnjak e Jarinjë, qytetarët serbë kanë bllokuar që prej ditës së djeshme rrugën. Po dje forcat e Kosovës shkuan në pikat kufitare për ruajtjen e rendit. Qytetarët serbë që bllokuan kufirin nuk kanë lëvizur prej aty as përgjatë orëve të natës.

Nuk kanë munguar thirrjet si “Kosova është Serbi” mes atyre që kanë bllokuar rrugët, ndërsa politika serbe ka bërë deklarata kërcënuese, duke thënë se do të marrë masa (pa specifikuar se çfarë masash do të ndërmarrë shteti serb). Pavarësisht toneve apo thirrjeve të ashpra, nuk është raportuar deri më tani për përplasje.

Situata atje (Jarinjë) vijon të mbetet e tensionuar. Më poshtë gjeni një video të AP, përcjellë nga Klan Kosova.

Mbi ngjarjen shkruajnë dhe mediat e huaja. Reuters raportoi ngjarjen duke njoftuar se serbët në veri të Kosovës kanë bllokuar rrugët prej të hënës, në shenjë proteste kundër vendimit të qeverisë së Kosovës. Lajmin media e huaj e ka përcjellë me një galeri fotosh.

Associated Press po ashtu e ka përcjellë lajmin, duke vënë në dukje se qytetarët e Kosovës që kalonin në kufirin serb, që prej të paktën 5 vitesh, detyroheshin të hiqnin targat e tyre (RKS) për t’i ndërruar me targa provizore prej letre.

Edhe REL përcolli disa pamje, teksa protestuesit serbë brohorisnin gjatë orëve të mbrëmjes.