“Çohemi në 5:00, e mbyllim në darkë” Rrëfimi i xha Faikut, që furnizon me çadra kashte bregdetin

 “Çohemi në 5:00, e mbyllim në darkë” Rrëfimi i xha Faikut, që furnizon me çadra kashte bregdetin

“Ne këtë punë nuk e mësuam, por e kemi trashëgimi nga pleqtë”

Kështu thotë Faik Shosgari, i cili së bashku me familjen prej të paktën 15 dekadash ndërton çadra kashte, që i gjejmë rëndom në plazhet përgjatë vijës bregdetare të Shqipërisë.

Xha Faiku, siç e njohin të gjithë, tregon se me këtë punë merret e gjithë familja e tij.

“Ne këtë punë nuk e mësuam, por e kemi trashëgimi nga pleqtë.  Jemi po një familje që përbëhet prej 10 vetash dhe punojmë të gjithë. Thuajse të gjithë jetën ne kemi bërë po këtë punë, çadra, kanistra, shporta apo artistike. Tani për rreth 2 apo 3 muaj punojmë në plazhe”, thotë ai në një prononcim për median.

Xha Faiku tregon se për përgatitjen e një çadre marrin pjesë përherë dy persona. Faiku përgjithësisht punon me të shoqen dhe për orë të zgjatura madje. Tregon se punën e nisë në orët e para të mëngjesit, për ta mbyllyr kur dielli largohet.

“Çadrat duhen punuar gjithmonë çift. Në punojmë nga mëngjesi në darkë dhe mund të arrijmë të realizojmë 4-5 çadra në ditë.

Nisja e një çadre fillon që nga muaji dhjetor që presim materiale kallama, barëra dhe më pas fillojnë punimet apo veshjet. Po ashtu ka raste kur del një pronar që kërkon 100 çadra dhe në materialin e kemi të përgatitur që nga dhjetori dhe organizohemi 10-15 veta dhe për 10 ditë i realizojmë këto 100 çadra”, thotë Faiku.

Por sa është fitimi i familjes?

“Ne kemi një përfitim të vogël . Shkon nga 3 mijë deri në 4 mijë lekë të vjetra. Ka raste që shkon edhe në 5 mijë lekë. Sepse pjesa tjetër është kosto dhe në këtë mënyrë kosto e një çadre na shkon 50 mijë lekë”, shton xha Faiku.