Covid i merr jetën ish- kryeministrit Bashkim Fino

 Covid i merr jetën ish- kryeministrit Bashkim Fino

Koronavirusi i ka marrë jetën ish- kryeministrit socialist Bashkim Fino.

Deputeti i PS ka ndërruar jetë për shkak të komplikimeve shëndetësore të sjella prej koronavirusit. Këtë të hënë mbahen homazhe në kujtim të tij në Pallatin e Kongreseve. Në orën 16:00 ai do të përcillet për në banesën e fundit.

Bashkim Fino lindi më 12 tetor të 1962 dhe kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës për Financë. Nga viti ’92 deri më ’96 ka qenë kryetar i bashkisë së Gjirokastrës dhe më pas në vitin ’97 u bë kryeministër i qeverisë së Pajtimit Kombëtar, post që do ta mbante nga marsi deri në korrik të atij viti.

Nga vitit 1997 deri në 1998 ushtroi detyrën e Ministrit të Pushtetit Lokal, njëkohësisht dhe Zv/kryeministër. Në 1999 deri në vitin 2001 do të ishte ministër i pushtetit lokal. Gjatë viteve 2001-2002 ka qenë Ministër i Punëve Publike dhe Turizmit. Ndërsa në periudhën 2004-2005, Ministër i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit. Ai ishte i renditur sërish si kandidat për deputet në zgjedhjet e 25 prillit në qarkun e Fierit.