Covid i mori jetën, 27 vjeçarja shqiptare u infektua teksa po i shërbente prindërve të sëmurë

 Covid i mori jetën, 27 vjeçarja shqiptare u infektua teksa po i shërbente prindërve të sëmurë

Virusi Covid-19 vijon të marrë jetë në mosha të reja në Shqipëri. Dy ditë më parë u shua në spitalin infektiv në Tiranë një 27 vjeçare me origjinë nga Berati. Ditën e djeshme e ndjera u përcoll për në banesën e fundit, ndërsa sot është mësuar se e reja ishte infektuar gjatë qëndrimit të saj në shtëpinë e prindërve.

Vajza prej vitesh punonte e jetonte në Tiranë, por kishte shkuar në Berat për të ndihmuar prindërit e infektuar me Covid. Atje e reja u infektua me virusin dhe me kalimin e ditëve gjendja e saj shëndetësorë u përkeqësua. Shkoi për t’i shërbyer nënës dhe të atit, por fatkeqësisht iu pre në mes jeta. 27 vjeçarja mbërriti në spitalin e Beratit më 25 shkurt dhe sipas mjekëve atje, gjendja e saj ishte rënduar së tepërmi.

Mjekja infeksioniste në repartin Covid në Berat, u shpreh për median se 90% e mushkërive të saj ishin prekur nga virusi.

“Pasi konstatuam se gjendja e saj shëndetësore ishte kritike,ne si mjekë konkluduam në nisjen e saj me urgjencë me autoambulancat e Spitalit Rajonal Berat drejt Spitalit Infektiv Covid-1 në Tiranë”-,ka deklaruar mjekja Etleva Vila.

27 vjeçarja qëndroi në Tiranë ku dhe u intubua për shkak të përkeqësimit serioz të gjendjes shëndetësore, ndërsa mbrëmjen e të martës ajo iku nga kjo botë.

Ky është i disati rast në Shqipëri, ku jetë në moshë të re po humbin prej Covid. Vetëm pak javë më parë, një adoleshent pa asnjë sëmundje, gjeti vdekjen prej Covid.