Dashuria e një babai për të birin e paralizuar, krijon një ‘robot’ që ai mund të ecë

 Dashuria e një babai për të birin e paralizuar, krijon një ‘robot’ që ai mund të ecë

Një inxhinier robotik, por në radhë të parë një baba i përkushtuar. Zhan Lui Kostanca (Jean Louis Costanca) ka arritur të krijojë një ekzoskelet, për të ndihmuar të birin që të mund të ecë. Djali i tij 16 vjeçar prej vitesh ndodhet në një karrige me rrota dhe babai së bashku me disa kolegë të tjerë nisën punën afro 10 vite më parë për të krijuar një ‘robot’ që do të mund të lejonte të paralizuarit për të ecur.

“Një ditë im bir më tha: Baba, ti je inxhinier robotik, pse nuk bën një robot për të ecur?”-kujton Lui.

Vetë 16 vjeçari, i cili quhet Oskar, thotë se për të është diçka e bukur që të mund të çohet vetë e të mund të lëvizë.

“Është diçka e re për mua. Për të ecur kam patur përherë nevojë për asistencë, tani nuk kam më nevojë”-tha 16 vjeçari.

Pavarësisht lumturisë për të parë të birin e paralizuar të çohet në këmbë e të ecë, ka ende rrugë për të bërë në perfeksionimin e kësaj teknologjie. Kudo në botë po zhvillohen ekzoskeletët për të paralizuarit. Madje ka disa ekzoskelete që po krijohen apostafat për punëtorë që rrinë me orë të tëra në këmbë.

Lui thotë për median huaj se brenda 10 viteve, do të ketë pak e më pak nevojë për karrige me rrota, kjo pasi njerëzit do të mund të krijojnë variante të lira e funksionale të ekzoskeletëve.

“Pas 10 vitesh nga tani, nuk do të ketë fare ose do të ketë shumë pak karrige me rrota”-thotë Lui.

Aktualisht të tilla pajisje kushtojnë më shumë se 100 mijë euro copa dhe s’mund të blihen individualisht për t’u përdorur për përdita. E pikërisht ky është dhe objektivi i kompanisë së Zhan Luit, që njëlloj si i biri, të gjithë të mund të kenë mundësinë që të aksesojnë një ekzoskelet të lehtë dhe funksional për përditshmërinë.