Dashuria e një motre: Unë e mami nuk hamë bukë, kursejmë për vëllain e motrën

 Dashuria e një motre: Unë e mami nuk hamë bukë, kursejmë për vëllain e motrën

Dita e saj më e vështirë ka qenë vdekja e të atit. Një aksident ia mori dhe së bashku me të diçka u thye. Etmonda është 15 vjeçe. Jeton me nënën, motrën e vëllain e vogël, në një godinë që dikur shërbente si vend për të mbledhur barin e lopëve.

Nuk ndodhet shumë kilometra larg, por fare pranë kryeqytetit të vendit, Tiranës. Pavarësisht, jeta e saj është një grumbull vuajtjesh e mbi të gjitha, një luftë me urinë dhe varfërinë.

Etmonda: Jetoj me mamin motrën e vëllain. Babit i ndodhi një aksident e për fat të keq vdiq. Vdekja e tij ka qenë një tragjedi shumë e madhe për ne, një tmerr i paparë. Nuk kemi asnjë njeri tjetër tashmë, përveç mamit, motrë e vëllait. Ëndrrat e mia u thyen në atë moment kur ndodhi aksidenti i babait. U thyen të gjitha ëndrrat e mia. Dëshira ime ka qenë që asnjë nga familja të mos ndahej, të ishim të gjithë bashkë që të mund të luftonin të gjithë këto gjëra.

Etmonda i thotë emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët” se ajo dhe e ëma nuk hanë ushqim për të kursyer për dy më të vegjlit. Dashuria e saj për motrën e vëllain e vogël është aq e madhe, saqë asaj ia nxë goja të thotë se për ta jep jetën e saj. Etmonda është vetë një fëmijë, por mendon ta lërë gjimnazin, që të nisë një punë për të sjellë para në shtëpi.

Etmonda: Ne të dyja duhet të kursejmë ushqim nga një vaks, që ata dy të vegjlit të mos mbeten pa bukë. Nuk besoj se do ta vijoj gjimnazin sepse duhet të hyj në punë. Që të mbaj motrën e vëllain, për ato do t’ja vendosja vizën jetës sime, se ata janë të vegjël dhe unë nuk dua të përjetojnë ato vuajtje që kam provuar unë.

Mami ka harruar jetën e saj, asnjëherë nuk e ka patur një ditë pa vuajtje e lot.  Jetesa këtu është shumë e vështirë. Kjo dhoma ku qëndrojmë ne ka qenë për të mbajtur barin e lopëve. Dritaret janë të thyera, nuk ka pllaka, ndërsa ngrohjen e sajojmë. Na kanë sjellë një ngrohëse, kurse drurët i gjejmë vetë.