Deani kryen me sukses operacionin e parë, mesazhi përlotës i prindërve për shqiptarët

 Deani kryen me sukses operacionin e parë, mesazhi përlotës i prindërve për shqiptarët

20 ndërhyrje kishte bërë Deani i vogël, ende pa i mbushur 10 vjeç. Falë reagimit të jashtëzakonshëm të shqiptarëve, Deani u nis drejt një prej spitaleve më të mira në Itali për të kryer dy ndërhyrje për t’i shpëtuar vdekjes.

Nëna e babai i Deanit dhanë në emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” lajmin e bukur se Deani ka kryer me sukses operimin e parë, për rindërtimin e rrugëve urinare. Tashmë vogëlushin e pret ndërhyrja për transplantin e veshkës, ku dhurues do të jetë babai i tij.

Përmes një video mesazhi, nëna e babai i Deanit nuk kanë fjalë për të falenderuar ata mijëra shqiptarë, që derdhën lot për 9 vjeçarin dhe bënë të mundur që ai të hynte në rrugën e shërimit.

Nëna: Jemi tek spitali ‘Bambino Gesu’ ne Romë. Deani bëri ndërhyrjen e parë, doli me sukses. Falenderojmë të gjithë shqiptarët që kontribuan për Deanin, Elvisin, Sidritin dhe të gjithë stafin e emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët”. Jemi shumë të gëzuar që Deani e kaloi me sukses operacionin.

Babai: Falenderojmë të gjithë shqiptarët, stafin e emisionit. Jemi shumë të gëzuar, se morëm një lajm shumë të mirë për djalin. Ju duam pa masë, faleminderit.