“Derisa t’më lejojë ai lart, unë do vazhdoj” 86 vjeçari vazhdon bamirësinë që nisi i biri i ndjerë

 “Derisa t’më lejojë ai lart, unë do vazhdoj”  86 vjeçari vazhdon bamirësinë që nisi i biri i ndjerë

Nga lart mund të duken si tabela rruge, por në fakt po t’i afrohesh sheh se janë shalle të varura në një tabelë, ku qëndron një foto dhe një mesazh.

Kur dimri bëhet i acartë dhe i ftohti i padurueshëm, ky 86 vjeçar del nëpër rrugicat e qytetit për të vendosur shallë. Në një tabelë kartoni thuhet se kushdo që ka nevojë për një shall, mund ta marrë falas.

Lenny Nicolan (Leni Nikolan) ka rreth 6 vite që e bën këtë gjest të admirueshëm. Fillimisht në rrugët dilte me djalin, por ai humbi jetën për shkak të një kanceri në tru në vitin 2017. Pavarësisht humbjes së madhe, ky i moshuar nuk u dorëzua dhe vijon të dalë çdo dimër për të falur shallë për ata të pamundur apo pastrehë.

“Vitin e kaluar lashë rreth 1 mijë shallë”-thotë i moshuari, teksa shton se tashmë nuk i kanë mbetur shumë, rreth 100 të tillë. Leni drejton një dyqan ku shiten mallra të dorës së dytë dhe shpesh këto mallra ai i jep si dhuratë për njerëzit në nevojë.

Atij i kujtohet jeta e të birit të ndjerë. Këtë akt të bukur e nisi i biri fillimisht. Në dy momente rrotullohej jeta e tim biri, shton Leni, “tek familja e tij dhe tek dëshira për të ndihmuar njerëzit në nevojë”.

“Në dyqanin tonë ka dy tavolina. Njëra është e imja, kurse tjetrën e zinte im bir. Ai e ndriçonte atë vend. Shpesh herë them me vete, sa dëshirë do të kisha sikur t’i ngjaja tim biri”.

Pavarësisht kësaj, Leni tashmë e vijon bamirësinë me të bijën. Në çdo shtyllë ku vendosin shalle, ata nuk harrojnë dhe një foto të Michael-it, të ndjerit që e nisi këtë akt të bukur.

“Kjo ide ka prekur mjaft persona kudo në botë. Disa ditë më parë një grua britanike na solli një kuti me shallë. Tashmë ajo sjell çdo javë shallë që i ka thurur vetë me duart e saj.”-thotë vajza e të moshuarit.

86 vjeçari nuk ka ndërmend të ndalojë, pavarësisht moshës.

“Derisa ai lart do më lërë energjinë dhe fuqinë e nevojshme, unë kam ndërmend që ta bëjë këtë punë derisa të kem jetë”-tha i moshuari.