Ditë tragjike në Tiranë, dorëzohen para pandemisë një 17 vjeçar dhe një grua shtatzënë

 Ditë tragjike në Tiranë, dorëzohen para pandemisë një 17 vjeçar dhe një grua shtatzënë

E hëna ka rezultuar të jetë një ditë e hidhur. Dyfish e rëndë. Dy jetë u shuan para kohe. Një 17 vjeçar i prekur nga koronavirusi ka ndërruar jetë si pasojë e komplikacioneve në mushkëri. I riu kishte kohë që ishte shtruar në spitalin Covid2 në Tiranë dhe prej disa ditësh qëndronte në terapi intensive. Fatkeqësisht, 17 vjeçari iu dorëzua sëmundjes që i kishte prekur thuajse të gjithë mushkëritë. Ndërkohë familja e tij, nënë e babë, po ashtu ishin të prekur. Nëna e adoleshentit ia doli mbanë, vetëm për t’u përballur me një lajm kaq të hidhur. Ndërkohë babai i të ndjerit qëndron ende në spital në gjendje të rënduar shëndetësore.

17 vjeçari me origjinë nga Elbasani nuk vuante prej asnjë sëmundje tjetër dhe shënon një tjetër rast në Shqipëri, ku pandemia ‘thyen’ një jetë në moshë kaq të re.

Veçse humbjes së 17 vjeçarit, këtë të hënë në spitalin e Sanatoriumit (Covid2) ka ndërruar jetë dhe një nënë shtatzënë. Duke parë gjendjen e rëndë shëndetësore, mjekët kanë mundur që të ndërhyjnë për të shpëtuar foshnjen përmes një lindje të parakohshme në muajin e shtatë (cezariane). Foshnja është shëndoshë e mirë, por nëna fatkeqësisht ndërroi jetë, duke u bërë kështu viktima e dytë e një dite të zezë në Tiranë.