“Djali është tre muajsh dhe po vdes, ju përgjërohem të më ndihmoni”

 “Djali është tre muajsh dhe po vdes, ju përgjërohem të më ndihmoni”

Pas lindjes së të birit, Loresa, priti të shohë djalin, por më kot. Mjekët nuk ia sollën në krah, pasi ai lindi me probleme shëndetësore.

Ildisi tashmë është tre muajsh dhe qëndron ende në spital dhe shpresat se ai do të dalë prej atje janë të pakta.

Kjo është historia e Loresës 20 vjeçe dhe të shoqit të tij, Ferit Lika. Të dy të rinj në moshë dhe me banesë në fshatin Dukat të Vlorës, i janë drejtuar emisionit ‘Shqiptarët për shqiptarët’ me shpresën se mund ta shpëtojnë të birin.

Shpresa e tyre është ajo që i mban në këmbë dhe i çon përpara drejt një lufte që ata nuk e zgjodhën me dëshirë. Deri më sot Ildisi i është nënshtruar 4 operacioneve në pediatrinë e QSUT-së në Tiranë dhe tashmë mjekët janë dorëzuar.

Shumë prej tyre habiten sesi është akoma gjallë foshnja veçse tre muajsh, pavarësisht komplikacioneve të stërmëdha në trupin e tij të vogël.

 “Që kur lindi ne e pritëm me gëzim, kur erdhëm këtu unë e pashë djalin me zorrën jashtë u tremba u frikësova. Tani djalin e shikojmë çdo tre orë nuk mund ta shikojmë në atë gjendje që është, nuk e kam mbajtur asnjëherë në krahë mirë, kam frikë se mos i lëndoj plagën, këtu nuk më kanë dhënë shpresë, kemi gjetur një zgjidhje një spital në Turqi. Ai është engjëll i vogël po mundohet të jetojë, u bëj thirrje për ndihmë, reagova shumë keq kur na thanë se djali nuk mund të jetojmë më pa oksigjen”, -thotë e ëma Loresa.

“E sollën djalin në gjendje të rëndë për jetën, 12 orë pas lindjes, por 20 ditë më vonë u përkeqësua, nisi të bllokohej në zorrën e trashë, u detyruan mjekët që ta operonin sërish. Ishte shumë e vështirë, arriti të dilte mirë por dha shenja të para 5 ditë ishte gëzimi ynë, ishte ndërhyrja e tretë, por një ditë para se të dilnim nga spitali u përkeqësua, menduam se ishte diçka e vogël, doli një problem më i rëndë. Mjekët kishin vendosur mos ta operonim më nuk kishte më shpresë për të. Këto tre muaj kam kaluar situata që vetëm ata prindër të vuajtur më besojnë atë situatë, gjëja e parë që mendova është si ka mundësi që i ndodhën ato fëmijës, ato momente ishin një torturë shumë e madhe, pashë fëmijën tim që po shkonte drejt vdekjes, ne e çuam për herë të katërt në sallë ajo pritje 2 orë ishte një tmerr i vërtetë, unë mendova se do ishte hera e fundit që do ta shikoja me frymë.“-thotë i ati.

Prej 20 ditësh Ildisi mbahet gjallë me aparate. Tubat përshkojnë rrugët e brishta të frymëmarrjes. Ferit e Loresa kanë gjetur pas ditësh kërkime, një spital në Turqi i cili ka marrë përsipër kryerjen e një ndërhyrje për t’i risjellë jetën e mohuar Ildisit. Me lotë në sy dhe me zë të dridhur, këta dy prindër të rinj kërkojnë ndihmë, që të mund ta shohin djalin e tyre gjallë.

“Për këtë ndërhyrje kërkohet një shumë e madhe 45.000 euro, ne nuk dimë si do ta transportojmë në këtë gjendje në banesë jo më në Turqi. Djali është në oksigjen, është rënduar shumë, ai fëmijë nuk po pret më, mjekët na thonë çfarë po prisni më tepër . Çdo herë që ai është futur në atë sallë kam thënë që është hera e fundit për të, ai duhet të kurohet sa më shpejt të jetë e mundur”,-lutet babai i Ildisit.

 “Është një engjëll i pafajshëm që meriton të jetojë, kush jemi ne që duhet t’ja mohojmë atë gjë”,- thotë nëna e tij Loresa me ngashërim.

Emisioni ‘Shqiptarët për shqiptarët’ e përcolli rastin fatkeq të këtyre dy të rinjve dhe brenda 24 orëve, qindra shqiptarë kontribuan dhe shuma prej 45 mijë eurosh u arrit.

Më poshtë video e asaj që ndodhi më pas.