Drama e familjes me shurdhë-memecë

 Drama e familjes me shurdhë-memecë

Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” udhëtoi në Elbasan, në lagjen “5 maji”. Shkuam në një banesë të sajuar dhe të papërfunduar ku jetojnë 8 frymë. Gjyshja është sëmurë pasi nuk e ecën dot madje nuk është vizituar ndonjëherë më parë.

Dy vëllezërit Shkëlqimi dhe Kujtimi janë shurdhë memecë. Këtë paaftësi e kanë trashëguar nga e ëma. Shkëlqimi ka tre djem ndërsa Kujtimi nuk ka fëmijë. Shkëlqimi është babi i Besimit , Orgitos dhe Shabanit. Thirrjet e Orgitos për ndihmë bëri që stafi i “Shqiptarët për shqiptarët” të shkojë të shikojë nga afër kushtet ku jetojnë familja Ruçi. Duke lotuar 14 vjeçari kishte marrë të atin, i cili nuk dëgjon as flet dot dhe kishin shkuar të dy për të takuar Elvis Naçin me shpresën se në muajin e Ramazanit njerëzit nuk do ta braktisin.

Gjatë intervistës djali nuk i përmbajti lotët për asnjë moment. Gjithë merakun e kishte tek gjyshja e sëmurë. Djali e kishte gjetur të rrëzuar përtokë disa herë pasi ajo as flet e as dëgjon dot. Gjyshja e bën të vuajë, i dhimbset pafund.

“I tregova xhaxhi Elvisit për hallet e mia, për gjyshen që rrëzohet sa herë ecën. I tregova edhe për shtëpinë, njëherë na u fut në shtëpi gjarpri, e nxori babi jashtë. Kur bie shi pikon çatia. Ju lutem shumë na ndihmoni, më ndihmoni për të shëruar gjyshen dhe të më rregullojnë shtëpinë” thotë Orgitoja mes lotëve.