“Duhej t’i shpëtonim jetën!” Mjekët operojnë pacientin, teksa spitali kishte marrë flakë

 “Duhej t’i shpëtonim jetën!” Mjekët operojnë pacientin, teksa spitali kishte marrë flakë

Një grup mjekësh në një spital të Rusisë kanë nisur dhe përfunduar një operim në zemër tek një pacient, ndërsa në kohën që ata kishin filluar procedurën, taraca e spitalit kishte marrë flakë.

Mbi 120 persona arritën të evakuohen në kohë nga godina e spitalit, ndërsa mjekët që po operonin vijuan punën, pavarësisht se gjatë procedurës mësuan se godina kish marrë flakë, raportojnë mediat e huaja.

Në godinën e përfshirë nga zjarri dritat ikën, por fatmirësisht për mjekët e pacientin, kishte një gjenerator emergjence që u vu në punë derisa operimi përfundoi.

E teksa mjekët po operonin në katin e parë të ndërtesës, në çatinë e godinës dhjetëra zjarrfikës po mundoheshin të shuanin flakët.

Kirurgu kryesor Valentin Filatov u shpreh se ai dhe skuadra “duhej të shpëtonin jetën e pacientit”

8 doktorë e infermierë qëndruan në operimin që zgjati për dy orë, ndërkohë që zjarri po digjte të gjithë çatinë e spitalit.

Godina ishte e vjetër, e ndërtuar që në vitet 1907 dhe zjarri shpërtheu menjëherë për shkak se çatia e spitalit ishte prej druri. Mendohet se një shkëndijë elektrike ka sjellë shpërthimin e flakëve.

Për fatin e mirë të pacientit dhe stafit mjekësor, operimi shkoi mirë dhe me ndihmën e zjarrfikësve të gjithë dolën nga godina në flakë pa dëmtime.