Dy hajdutë i hyjnë në banesë, 85 vjeçarja rrëfen momentet: Të vrasim po bërtite më thanë

 Dy hajdutë i hyjnë në banesë, 85 vjeçarja rrëfen momentet: Të vrasim po bërtite më thanë

Një ngjarje e shëmtuar ka ndodhur në Nartë të Vlorës këtë paradite të së mërkurës, ku një 85 vjeçare është kërcënuar me jetë nga dy grabitës që i kanë hyrë në banesë.

E moshuar është lidhur dhe shtrirë në tokë, ndërsa hajdutët kanë kontrolluar për të gjetur para.

“U futën dhe më mbyllën sytë e gojën. Më lidhën… Njëri më mbante dhe tjetri kontrolloi në të gjithë shtëpinë. Do të vrasim më thanë, mos bërtit. Më ngritën e më shtrinë në tokë. Do të vdes i thash… më thanë jo jo se nuk vdes.”-tha e moshuara për mediat.

“Kishe shkuar për të marrë pensionin sot, por atje tek posta nuk kishin patur para dhe nuk e kishte marrë.”-tha një i afërm i të moshuarës.

Kjo është hera e dytë në pak muaj që kësaj të moshuare i hyjnë në banesë për ta vjedhur. Ajo jeton e vetme pasi fëmijët i ka në emigrim. Në shtëpi e moshuara kishte patur 2 mijë lekë, çka ka bërë që hajdutët të dalin nga shtëpia. Shtëpia ndërkohë është kthyer përmbys e gjitha.

Njoftimi i policisë:

Më datë 17.03.2021, rreth orës 12:51, në fshatin Nartë, Vlorë, dy persona të paidentifikuar kanë tentuar për të vjedhur në banesën e shtetases V. P., 85 vjeçe, e cila nuk ka pësuar dëmtime.

Në vendngjarje janë fiksuar prova materiale të lëna nga autorët, të cilat do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorëve.

Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po vijon krehja e zonës, me qëllim kapjen e autorëve.