Dy orë mbi shtyllë i pajetë! Dëshmitarët tregojnë për incidentin që i mori jetën 3 elektriçistëve

 Dy orë mbi shtyllë i pajetë! Dëshmitarët tregojnë për incidentin që i mori jetën 3 elektriçistëve

Një ngjarje tragjike ndodhi ditën e djeshme në Greqi (Eretria), ku tre elektriçistë ndërruan jetë si pasojë e rënies në kontakt me tensionin e lartë.

Mes viktimave ishte dhe një elektriçist shqiptar, 45 vjeçar dhe baba i tre fëmijëve të mitur. Dëshmitarët okularë kanë treguar detaje rrëqethëse të momenteve të fundit të elektriçistëve. Media greke ka publikuar dëshmitë. Për shtetasin shqiptar me inicialet A.B, me origjinë nga Rrësheni, dëshmitarët thanë se mbeti në shtyllë për dy orë i pajetë.

“Punëtorët kishin shkuar për të ndërruar disa kabuj. Fatkeqësisht, kur vinçi preku njërin prej kabujve, rryma elektrike goditi elektriçistin në shtyllë (shqiptarin) dhe dy të tjerë që po qëndronin në vinç. Punëtori në shtyllë vdiq menjëherë, ashtu dhe dy të tjerët. Fatkeqësisht, askush s’mund t’i ndihmonte. Punëtori në shtyllë, qëndroi aty i varur për dy orë.”-tha një dëshmitar për gazetën Protothema.

“Gjithçka ndodhi 50 metra larg sheshit qendror të fshatit. Për fat të keq, tre njerëz vdiqën nga një gabim. Njëri ishte një 45-vjeçar me origjinë shqiptare dhe ishte ai që u godit nga rryma në shtyllë. Dy të tjerët, më të rinj, ishin grekë. 45-vjeçari kishte një vdekje të tmerrshme, pasi ndërsa goditja elektrike e goditi, rrobat e tij morën flakë dhe iu dogj koka”- thotë një banor.

“Po digjej njëri komplet në shtyllë”-thotë për median greke një grua, dëshmitare okulare.

Elektriçistët kishin shkuar për të rregulluar një defekt teknik në një shtyllë të tensionit të lartë (20 mijë volt). Shqiptari së bashku me tre kolegë shkuan për punë dhe nisën rregullimet duke përdorur një vinç. Por kontakti me rrymën ka qenë fatal dhe ka sjellë vdekjen e tre punonjësve. Shoferi i automjetit, pavarërisht se u godit, ishte i vetmi i cili i shpëtoi vdekjes.

Sipas medias greke, autoritetet kanë arrestuar deri më tani kontraktorin, inxhinierin dhe supervizorin e punimeve, për të dhënë shpjegime mbi ngjarjen tragjike.

Hetuesit kanë nisur punën për të zbërthyer të gjithë ngjarjen e për të gjetur shkaqet që sollën tragjedinë.