“E ç’e dua unë jetën? Kështu as qentë nuk rrojnë… më mirë të isha djegur me zjarrin”

 “E ç’e dua unë jetën? Kështu as qentë nuk rrojnë… më mirë të isha djegur me zjarrin”

Kjo nënë, tre fëmijë i humbi.

Por fati u tregua mizor sërish me të. I shoqi e thirri për një moment. Gjunjët e tij të lodhur kërkonin pak ndihmë. I tha të vinte për t’i dhënë një dorë, të korrnin bar për lopët. Fiqiretja doli nga banesa…

“Ishim burrë e grua në shtëpi. Burri ishte sëmurë nga këmba dhe më tha ta ndihmoj, për të korrur bar për lopët.”

Por kur u kthye, gjeti flakët. Një fjalë që ajo thotë, e shpjegon më së miri se çfarë po shihte.

“Kur u kthyem pashë tym… mendova mos ishte djegur ndonjë barishte. Kur dola e pash drejt, ishte flaka në shtëpinë time. Pastaj nuk mbaj mend çfarë ndodhi, mendjen e kisha të vdekur.”

Shtëpia kishte humbur e bashkë me të, gjithçka kishte brenda. Burrë e grua mbetën fillikat, me rrobat e trupit.

“Kurrë nuk e kisha menduar kaq keq, tani që m’u dogj dhe shtëpia. Në shtëpi asgjë nuk nxorrëm dot. Mbetëm me rrobat e trupit. Kisha ruajtur disa para dhe ato m’u dogjën.”

I vetmi vend i mbetur ishte sera. Shtëpia e këtij çifti në moshë, quhen këto plastmasë që mbështjellin disa drunj e shtylla betoni. Kaq gjë i ka mbetur. Këtu flenë, këtu jetojnë, këtu ushqehen.

“61 vjeçe jam sot, e të vuaj kështu. Këtu punoj, këtu ha, këtu flë në serë… edhe qeni nuk rron kështu si po rrojmë ne. Jetën time mos e paftë as hasmi e qeni.

Ilaçet nuk i kam marrë, po bëj dy javë. Tërë natën zgjuar rrij nga dhimbjet. Me këto barishtet, ne shpresojmë të shesim… a rron njeriu tre ditë me një bukë? Po nga e keqja e kemi, njëherë ha e njëherë jo.

Çe dua unë më jetën time, çe dua të rroj kështu? Më mirë të mbytem, më mirë të isha djegur me zjarrin.”-thotë e përlotur Fiqiretja.

Kjo grua e përvuajtur ka vetëm një kërkesë, një lutje që e nxjerr me vështirësi nga buzët. Kërkon ndihmën e shqiptarëve, ta ndihmojnë me sadopak, që të mund të dalë nga ferri ku jeton sot.

“I lutem Elvis Naçit e me gjithë shqiptarët, po patën mundësi të më ndihmojnë, unë kërkoj vetëm një shtëpi sa për të futur kokën brenda.”-thotë ajo.