E intubuan pas lindjes së foshnjes, rasti tragjik i 29 vjeçares që ndërroi jetë prej Covid

 E intubuan pas lindjes së foshnjes, rasti tragjik i 29 vjeçares që ndërroi jetë prej Covid

Një ngjarje tragjike ndodhi këtë të shtunë në spitalin Covid 2 (Sanatorium) në Tiranë, ku një nënë 29 vjeçare ndërroi jetë prej komplikacioneve që i erdhën si pasojë e infektimit me koronavirus.

E reja nga Korça ishte shtruar prej mëse dy javësh në spital. Ajo ishte shtatzënë dhe u detyrua të bëjë lindje të parakohshme për të shpëtuar foshnjen. Fatmirësisht fëmija lindi i shëndetshëm, në maternitet, ndërsa 29 vjeçarja u transportua sërish në spitalin Covid. Gjendja e saj u rëndua dhe prej disa ditësh ajo qëndronte e intubuar. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 29 vjeçarja ndërroi jetë si pasojë e një komplikacioni kardiak.

E reja nuk arriti dot të shohë djalin e saj, ta mbajë në krah e t’i ndjejë aromën. Nga ana tjetër foshnja është në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk rezulton të jetë i infektuar me Covid.

29 vjeçarja me origjinë nga Korça nuk vuante nga asnjë sëmundje tjetër dhe mbetet një ndër rastet më të rënda të raportuar në Shqipëri që nga nisja e pandemisë.

Ndërkohë në Shqipëri situata me përhapjen e virusit mbetet ende shqetësuese. Në 24 orët e fundit Ministria e Shëndetësisë ka raportuar se janë identifikuar 1130 raste të reja me Covid.