“E jap jetën, vetëm Eljo të shërohet” Këtyre dy prindërve u kanë mbetur vetëm lotët dhe lutjet

 “E jap jetën, vetëm Eljo të shërohet” Këtyre dy prindërve u kanë mbetur vetëm lotët dhe lutjet

Djali i tyre është vetëm 5 vjeç. Disa kohë më parë iu ankua prindërve se i dhimbte këmba. Çalonte. Ndihej i lodhur. Prindërit e tij kurrë nuk e kishin menduar se i biri ishte prekur nga një sëmundje e rëndë si leuçemia.

Kjo është tragjedia në familjen Osmani. Prindërit e Elisianit ia kanë dorëzuar shpresat dhimbjes e pamundësisë për të ndihmuar djalin e tyre.

Babai i Eljos: Jam babai i tre fëmijëve. Njërin e kam 9 vjeç, kurse dy të tjerët janë binjakë. Një prej tyre doli me leuçemi. Mu shemb bota, nuk e di. I kam rrit me bukë e pa bukë këto fëmijë… (qan).

Gati jam të jap dhe jetën, vetëm fëmija të shërohet. Shpresat tek Zoti i kam, që të mos ma largojë. Fjalë nuk kam të përshkruaj për të treguar se çfarë është për mua.

Nëna e Eljos: Gjithë kohën rrinte i lodhur, shtrirë. Para një muaji filloi duke mos ecur mirë, duke çaluar. Ne kujtuam se ishte vrarë duke luajtur. Por prej dy javësh filloi t’i dhimbte gjuri, nuk ecte.

Tre doktorë u mblodhën e nuk po ia gjenin diagnozën. I morën gjak në palcë dhe doli përgjigja që kishte leuçemi… më ranë të fikët. Nuk e di ça të them më, nuk kam më fjalë. E shtruam këtu në spital. Ende nuk i ka filluar kemiot. Edhe në tuale me zor shkon nga dhimbja e gjurit. Është i shtruar e nuk i dihet… dua ta rris djalin ashtu si e linda, me motrën e tij.

Eljo qëndron prej kohësh në spital… duke qarë nga dhimbjet. Thërret nënën, lutet që dhimbja t’i pushojë. E këta prindër vuajnë dyfish, nuk kanë mundësi ta ndihmojnë djalin.

Nëna: Askush  nuk e di dhimbjen time, nuk e kupton këtë që po ndjej. Mund të humbësh gjithçka në jetë, vetëm tek fëmija nuk durohet. Pa djalin në shtëpi nuk iki, gjallë jo njëherë.

Ikim tek shtëpia o ma’ më thotë. Kërkon të shkojë në shtëpi. Është fëmijë shumë i dashur, e unë dua të jetë fëmija që ka qenë dikur. Ne s’jemi askush pa të. Gati jam që tani organet e jetën time, vetëm djali të më shpëtojë. Djali ka nevojë për transplant gjaku e palce në shtyllë kurrizore. Kemi folur me një spital jashtë dhe operimi kushton mbi 130 mijë euro.

Ne jetojmë në shtëpi me kunetërit. Nuk kemi mundësi ekonomike, burri punon me ditë. Shuma e operimit nuk përballohet dot, kështu që vetëm shqiptarët mund ta bëjnë këtë gjë.

Babai: Ato para ne nuk kemi kurrsesi takat t’i gjejmë. Thirrje i bëjmë të gjithë shqiptarëve… ju lutem, ju lutem më ndihmoni.