E lanë të punonte si karrocier uzine! Historia e një intelektuali shqiptar, diplomuar në Francë

 E lanë të punonte si karrocier uzine! Historia e një intelektuali shqiptar, diplomuar në Francë

Kjo është historia e një burri që lindi në një familje të varfër, u diplomua për jurisprudencë në Tuluzë (Francë) dhe u dënua me burgim e punë si karrocier nga ana e regjimit komunist.

Fjala është për gjyqtarin Fetih Selenica. Më 17 nëntor të vitit 1945, në kinemanë “Majestik” të Korçës, u zhvillua gjyqi kundër këtij intelektuali, i cili u dënua me 15 vite burgim. Seanca ‘publike’ kundër tij u zhvillua në këtë kinema pasi një vit më parë në të njëjtin vend, Fetih Selenica kishte mbajtur një fjalim kundër vendosjes së regjimit komunist në vend.

Prokuror i çështjes ishte një ndër emrat më famëkeq të regjimit, Nevzat Haznedari. Debati mes prokurorit e intelektualit është ruajtur dhe tregon vendosmërinë e Fetih Selenicës në bindjet e tij.

Haznedari: “E ke luftuar Okupatorin?”

Selenica: “Po”.

Haznedari: “Të mbash konferenca në sallën “Majestikut” me bajonetat gjermane dhe të pretendosh kundra okupatorit, është luftë e okupatorit? Ke mbajtur konferencë në “Majestik”?”

Selenica: “Po, me temën “S’kam ç’e dua trimërinë, kur s’e kam për Shqipërinë”.

Haznedari: “Kjo konferencë ishte në interes të popullit?”

Selenica: “Po”.

Një jetë nëpër burgje

Fetih Selenica vinte nga një familje e varfër e Kolonjës. Pavarësisht vështirësive, Fetihu u regjistrua në liceun e Korçës dhe pas studimeve atje aplikoi për një bursë në Francë, kërkesë e cila u aprovua. Studioi në universitetin e Tuluzës për Jurisprudencë dhe më tutje u kthye në Shqipëri, ku ponoi si gjyqtar në disa rrethe të vendit. Në vitin ’43 u zhvendos në Tetovë, sërish në rolin e gjyqtarit dhe më ’44 do të mbante fjalimin e tij në kinemanë e Korçës, ku shpjegoi bindjet e tij politike anti-fashiste e anti-komuniste.

E pasi mori dënimin me 15 vite në burg, jetën e kaloi në burgjet e kampet e punës së diktaturës në Burrel, Maliq Vloçisht etj. Veçse tij edhe familja do të kishte pjesën e saj të vuajtjeve përmes persekutimit. Vëllai iu dënua me 8 vite burg, ndërsa shtëpia e familjes u plaçkit. Prindërit e tij ndërruan jetë brenda dy viteve për shkak të mjerimit dhe varfërisë së skajshme. Bashkëshortja me fëmijët shkuan në Tiranë dhe jetuan nën hijen e frikës. Derisa më 1955, Fetih Selenica lirohet nga burgu. Pavarësisht lirisë, ai vijoi të mbetej i dënuar. Sipas rrëfimit të së bijës së Fetihut, ai nuk u lejua të punonte.

E vetmja punë që gjeti ishte si karrocier në uzinën “Partizani. Dy vite punoi si karrocier, derisa regjimi vendosi ta internojë së bashku me familjen në fermën “Çlirim” të Fierit. Atje Fetih Selenica punoi në bujqësi për thuajse 4 vite, derisa një ditë të majit të vitit 1961, i ndali zemra. Ndërroi jetë në moshën 55 vjeçare.

“Më i ftohtë se akulli” Pamfleti kundër regjimit komunist

Vitet e para të dënimit, Fetih Selenica i kreu në burgun e Burrelit, e atje shkroi një pamflet politik kundër regjimit e komunizmit në tërësi, të cilën ia besoi më vonë kunatit të tij. Ky i fundit arriti ta ruajë.

Më poshtë gjeni fjalët e një intelektuali:

O magnet, e fortë është fuqia jote tërheqëse mbi metalet, por më e fortë është fuqia tërheqëse e komunizmit mbi mëndjet e papjekura. Ti, me fuqinë tënde tërheq vetëm metalet dhe këta të vijnë pas pa kundërshtim sipas ligjit fizik.

Komunizmi, me demagogjinë e tij të bukur, me fanarin e tij magjik, me premtime që kalojnë çdo dëshirë, gjurmon në errësirë ambiciozët, aventurierët, njerzit e lindur kriminelë, pesimistët, disa naivë të rinj e të reja i fut në kullën e tij të ndritëshme të hekurt, u mbyll derën e daljes njëherë e përgjithmon, u rrëmben ndjenjat e mira që mund të kishin, u zhduk shpirtin, u forcon trupin, u mbush mëndjen me ëndrra të bukura ambicioze, i armatos me thikë me helm dhe pastaj, të mobilizuar i ndërsen kundër njerzve të tjerë, që duan të mbrojnë lirinë, ndjenjat humanitare, burrërinë, nderin, familjen, Atdheun, fenë, zakonet, punën e tyre dhe frutin e saj.

Dhe me flamurin fallco të puntorit e të bujkut, me parrullën e diktaturës së punëtorëve, mban diktaturën e pak vetëve, zhduk çdo gjë të shenjtë e të vjetër të njeriut, grabit pa fre çdo gjë që i pëlqen për të majmur krerët udhëheqës, var në hu e në litar ose varros të  gjallë nëpër kanale ata që nuk i duhen dhe të tjerët i lidh me prangat e urisë dhe të ftohtit, për t’i përdorur si kafshë pune nëpër mure kineze, në piramida egjyptiane dhe nëpër kanalet e hidrocentraleve ruse gjersa të vdesin.

Ata më me fat që i shpëtojnë rrebeshit, i përplas nëpër birucat e ftohta me çimento, pa dritë, pa zjarr, me një racion buke të thatë, në pritje të japin shpirtin ligjërisht me proces-verbalin e drejtorit të burgut.

Por një pjesë e këtyre të “privilegjuarve” në vënd që të vdesin, çelnikosin më shumë vullnetin e tyre, duan të rrojnë dhe rrojnë. Duan të rrojnë se mendojnë familjet e tyre që vuajnë në kapmin e torturave të ndryshme materiale dhe morale: duan të rrojnë si idealistë dhe mendojnë Atdheun e përbuzur prej vetë shqiptarëve të skllavëruar, duan të mbrojnë qytetërimin njerzor mijravjeçar dhe atë që është më e shtrenjtë për çdo njeri, lirinë, frymën e jetës. Atyre nuk u bën përshtypje tortura nga të ftohtit, ata rrojnë me frymën e shpresës. Jashtë burgut në mure çimentoje, diktatura duhet mbajtur në burgun e madh të popullit, diktatura duhet mbajtur se populli duhet të punojë aq sa t’i mbetet kocka dhe lëkura, të ushqehet aq sa mund të qëndroijë në këmbë, sepse kush punon ha aq sa i caktohet.

Diktatura duhet të mbahet me çdo kusht, duhen mishra të reja, viktima të reja kampe dhe burgje të rinj. Në komunizëm çdo gjë është e realizushme. Në qoftë se “qëntë reaksionarë” që janë nëpër burgje kanë shpresë jete dhe shpëtimi, kundër tyre duhen të gjënden forma të reja dhe novatorët shpërblehen. Të dehur prej urrejtjes artificiale, të entuziasmuar prej gradave dhe dekoratave, të etur për grabitje të tjera, sulmojnë kush e kush të fitojë i pari. Hapen procese të tjera dhe natën vonë fillon zhurma e motorrit për të mbuluar britmat e torturave. Druri, shqelmat, kamzhiku, prangat me vidha, ndrydhja e mishrave me pincë, varja në gozhdë, tortura e morrit në kokë, ajo e korrentitr elektrik nuk përdoren më.

Duhen gjetur mënyra të tjera të reja të vazhdueshme për të mos patur krizë në realizimin e normës së përditshme si nga polici ashtu dhe nga hetuesi. U çudit burri në ngricërimën e janarit lakuriq në birucën prej çimentoje, se si ujët e ngrirë nën këmbët e tija të zbathura, ai ujë që xhelati novator ja hodhi mbi trupin lakuriq nuk u bë një pjesë kompakte me trupin e tij, por rrodhi nga trupi dhe e përplasi atë në çimento pa ndjenja dhe vajti e u bashkua nën këmbët e tij me truallin po aq të ftohët.

Kur u përmënd, u habit që e ndjeu veten gjallë. Dridhej i tëri si purteka në furtunë, kërciste dhëmbët nga të ftohtit dhe hidhej në çimento për t’u ngrohur pak. Kujtoj disa mjekë që kanë vizituar të burgosurit, jo për tu ardhur në nduihmë mjeksore, por për të konstatura gjëndjen e tyre, që kanë thënë se të burgosurit i kanë përmbysur ligjet e shkencës mjeksore dhe bëjnë përjashtim.

Në të vërtetë një pjesë e tyre nuk kanë mundur të rezistojnë, ndërsa një pjesë tjetër në kushtet që ka jetuar, duhej të mbaronte medoemos, por vazhdonte të ishte ende në këmbë. Çimentoja është e ftohtë, thotë mëndja e tij, duke u dridhur gjithnjë.

Por jo! Akulli është më i ftohtë se çimentoja. Dimri në Siberi është më i ftohtë se akulli. Nuk duhet të harrojmë se dielli i verës do ta shkrijë diellin e Siberisë dhe drita e së vërtetës dhe e Lirisë do të ndriçojë.

Magneti do të mbetet magnet, kurse komunizmin do ta shkrijë dielli i qytetrimit njerzor. Si ndër shumë epoka historike, drita e ka shpërndarë errësirën. Liria dhe drejtësia mposhtin skllavërinë dhe mashtrimin. Drita e së vërtetës dhe e Lirisë do ta verbojë atë që do errësirën dhe do t’i hapi sytë atij që i janë verbuar nga magjia e kullës komuniste. Dhe komunizmi do të tregohet si një ëndërr e llahtarshme!