E ‘përndoqi’ vdekja e njerëzve më të dashur! Sot kjo nënë e vuajtur po kalon sprovën më të madhe

 E ‘përndoqi’ vdekja e njerëzve më të dashur! Sot kjo nënë e vuajtur po kalon sprovën më të madhe

Maria është 55 vjeçe dhe kur thërret në memorje kujtimet për veten, mban mend varfërinë. Në shpirt të saj janë akumuluar jo pak dhimbje, sepse asaj iu desh që të bëhej nënë e baba njëkohësisht në moshën 14 vjeçare. Nëna dhe babai i saj e lanë në moshë të re, jo vetëm atë por edhe motrat e vëllezërit e saj më të vegjël.

Si motra më e madhe ajo harroi veten dhe u kujdes për ta për mese 20 vite.

“Unë vetë jam rritur jetime, më vdiq babai, nëna. 14 vjeç kam qenë kur më vdiq babai, dy vite më vonë nëna. Që nga ajo kohë jam kujdesur për vëllezërit e motrat, 4 jetimë kemi qenë. Nga 14 vjeçe e deri në 42 vjeçe, jam kujdesuar për vëllezërit e motrat… jeta më ka shkuar gjithmonë me varfëri, vuajtje e mundime.”-tregon për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” Maria.

Por duket se fati i rezervoi të tjera dhimbje kësaj gruaje. 8 vite më parë, i shoqi i saj ndërroi jetë dhe Maria u përball sërish me nevojën për të rritur vajzën e saj… një plagë e vjetër për memorjen e kësaj gruaje, por dhimbje të reja për shpirtin e saj. Kjo sepse Maria po e rrit vajzën e saj 11 vjeçe në kushte të vështira ekonomike.

“Kam një vajzë 11 vjeçe. Historia ime është… 8 vite më parë më vdiq bashkëshorti, vajza ishte 4 vjeçe. Unë vetë jam rritur jetime, më vdiq babai, nëna Por keq më vjen për vajzën, shumë… vajza mëson, me të gjitha 10 është. Por jeta jonë është shumë e vështirë.”-thotë Maria.

Kjo është shtëpia ku jetojnë nënë e bijë. Një banesë me kallamishte e qerpiq që prej kohësh mezi mbahet në këmbë. Të çarat në shtëpi sa vijojnë e shtohen dhe kur moti sjell me vete shiun dhe erën, në këtë shtëpi nuk jetohet. Maria na tregon se e shtyn jetën e saj me 27 mijë lekë të vjetra dhe se shpresat i ka humbur plotësisht.

“Goca nuk ka ku të shkruajë e flejë për shkak të shiut. Drita nuk kemi… shtëpia nuk mbahet me miell të bardhë.

Me 27 mijë lekë nuk ia del dot e unë aq para marr, 27 mijë lekë të vjetra (22 euro). Me boxhe jam, nuk kam ku shkoj.

Shqiptarëve i bëj thirrje nëse kanë mundësi të më ndihmojnë. Fjala shtëpi është e rëndë, nuk e them dot, por… me çfarë të kenë mundësi.

Shpresat i kam humbur të them të drejtën, se këtu kush nuk ka filmuar e parë… por prapë… nuk e di, Zoti lart e di”-përmbyll rrëfimin e saj, kjo nënë e vuajtur.