E saktë në goditjet me penallti, Spanja çon në shtëpi Zvicrën dhe shkon drejt gjysëm finales

 E saktë në goditjet me penallti, Spanja çon në shtëpi Zvicrën dhe shkon drejt gjysëm finales

Spanja ka dalë fitimtare në ndeshjen me Zvicrën, një përballje që u luftua deri në fund për 120 minuta dhe u vendos nga pika e bardhë e penalltive.

Goli i parë u shënua nga Spanja në minutën e 8-të të ndeshjes. Një goditje e Jordi Alba, e devijuar nga një lojtar i Zvicrës përshkroi rrjetën e mbrojtur Yann Sommer.

Pjesa e parë është dominuar nga Spanja, ndërsa në 45 minutëshin e dytë ndodh mrekullia për Zvicrën. Kapiteni i skuadrës, Gjerdan Shaqiri merr një pasë në zonë dhe arrin ta përkthejë në gol.

Në minutën e 78-të Zvicra mbetet me një lojtar më pak në fushë. Freuler bën një ndërhyrje të ashpër kundër Morenos dhe arbitri i nxjerr nga ndeshja.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Gjerdan Shaqiri detyrohet të dalë nga fusha (zëvendësim) për shkak të shqetësimeve me gjurin e tij të djathtë.

Pavarësisht disavantazhit në fushë, 90 minutat e ndeshjes përfunduan me rezultatin 1-1. Gjatë shtesave, Spanja sërish tregoi dominancë, por nuk arriti të shënojë.

Gjysëm orëshi kaloi shpejt dhe skuadrat u përballën nga pika e bardhë e 11 metërshit. Spanja u tregua shumë më e saktë në goditjet e dënimit, duke fituar me rezultatin 3 me 1. Kësisoj, Spanja bëhet e para gjysëm finaliste e këtij Euro 2020.