E shtyjnë jetën me bukë e ujë! Thirrja përlotëse e gruas: Sëmundja po më merr zërin

 E shtyjnë jetën me bukë e ujë! Thirrja përlotëse e gruas: Sëmundja po më merr zërin

Kur je i ri dhe pa një pasardhës mendja nuk të rri gjatë, por kur je i moshuar dhe nuk ke fëmijë e kupton peshën.

‘Shqiptarët për Shqiptarët’ shkuan në Tërbuf të Divjakës, për të takuar një çift në moshë, që fatkeqësisht nuk do të lërë pasardhës. Kjo është historia e Nexhmie e Ymer Albajramit.

Në banesën e tyre gjen dyer të mbushura me lagështirë, të thyera dhe të vjetëruara. Një tavan me bark, aqsa t’duket sikur do të bjerë përsipër. Orenditë shtëpiake janë gjysëm të prishura në rastin më mirë. Më tutje sheh Ymerin. Është 78 vjeçar. Varfëria e ka mpakur edhe më shumë se duhani që e mbështjell me duar.

Nexhmija ndërkohë është 54 vjeçe dhe ka ende forcë për të punuar, por kohët e fundit sëmundjet i kanë hyrë në trup. Qafa i është bllokuar. Njërin sup nuk e lëviz dot dhe nëse nuk kurohet, doktori ia ka thënë qartë… shumë shpejt do të humbasë dhe zërin.

Nexhmija: Nuk e prisja këtë punën e fytit. Krahun nuk e lëviz. Edhe kur ha bukë nuk e mbaj dot pjatën se kam dhimbje. Me zorr mbaj kokën time. Gjendrrat tiroide, dolën analizat keq. Doktori më tha t’bëj letrat, por i thash që nuk s’kam lekë. Operimi më tha bën 1200 euro, po kush ka mundësi. Doktori më tha të mos e vonoj më shumë operimin, sepse do më kapi zërin. Burri nga ana tjetër nuk dëgjon me veshë. Mjekim nuk i kam marrë. Para ca kohësh u rrëzua e nuk e vizitova dot.

Për këtë çift të moshuar dhe thyer nga varfëria, gjetja e 1200 eurove është e pamundur. Nexhmija na thotë se jetën e shtyjnë me pensionin e Ymerit. Bukë e thatë, ujë e kur Lavdija shet hekura, blejnë ndonjë kos.

Nexhmija: Erdhi fati. Ça të bëjmë ne, qe e shkruar. 109 mijë lekë merr im shoq, unë 90 mijë lekë. Ato para nuk dalin për asgjë, për bukë e ujë e dritat. Hekura gjej e i shes për një kile sheqer. Njeri nuk të jep ndihmë dhe unë jam në kushte shumë të vështira.

Ymeri: Ku hamë gjë ne. Bukë të thatë, tjetër nuk ka. Më shumë pa bukë jemi sesa me bukë.

Nexhmija: Jetesa këtu është e vështirë… shtëpia është e shkatërruar. Kur bie shi, këtu në kuzhinë mbushet me ujë. Ftohtë është. Një ngrohëse na e dha komshiu. Televizor e frigorifer na i dhanë disa komshij të tjerë, se të ishte për mua, nuk kam para e asi send me ble.

Kur e pyet Nexhmien për ëndrrat e saj, ajo flet për dhuratën që kurrë nuk e pati… një fëmijë. Rreket e thotë se mbase jeta do të ishte më e lehtë, sikur sot të kishte një djalë apo vajzë që të mund ta dërgonte në spital.

Nexhmija: Jemi fillikat. Nuk kemi pas as kalamaj…. kam dash, peng m’ka mbet, por Zoti nuk na i dha.. Ca të bëjë, të vras veten? Jeta ime kshu shkoi, se të kisha pas fëmijë…. të kisha pas një fëmij do ishte më ndryshe. Jam fillikat, s’ka ku shkoj e më duhet ndihmë. Nuk kam kë të mbaj më, jamë veçse në duart tuaja.

Për të mësuar se çfarë ndodhi me fatin e Nexhmies dhe Ymerit, klikoni në linkun e mëposhtëm: