Edhe pse i sëmurë, ky 12 vjeçar prek zemrat e artistëve për të bërë bamirësi

 Edhe pse i sëmurë, ky 12 vjeçar prek zemrat e artistëve për të bërë bamirësi

I lindur me trupin e sëmurë, por me një zemër të bardhë. I prekur me hidrocefali, epilepsi dhe paralizë cerebrale, por sërish me dëshirën për të jetuar.

Kjo është historia e një 12 vjeçari, i cili nisi të pikturojë rreth një vit më parë. Peneli në dorën e tij nuk është i njëjtë me atë të një artisti, ama babai i Noas e ka shtyrë drejt ngjyrave.

Ky baba i ka bërë thirrje kujtdo që me artin mban jetën. Ta ndihmojnë Noan në përfundimin e pikturave që penelin e parë e kanë marrë nga dora e 12 vjeçarit të sëmurë. Gjithçka është bërë përmes një thirrje në rrjetet sociale dhe që nga ajo kohë, u përgjigjën më shumë se 250 artistë nga vende të ndryshme të globit.

Babai i 12 vjeçarit u ka nisur letrat e kartonët ku i biri ka ‘bojatisur’ dhe artistët më tutje kanë përfunduar krijimin e nisur nga një dorë e sëmurë. Pikturat janë shitur dhe deri më tani, raporton BBC, janë ngritur rreth 100 mijë paund të cilat do të shkojnë të gjitha për bamirësi.

Para se të dilnin në një ankand, pikturat u prezantuan në një galeri arti… dhe më të bukura se pikturat, ishte buzëqeshja e këtij fëmije 12 vjeçar.

Babai i Noas tha se paratë do të shkonin për doktorët, ata njerëz që me punën e përkushtimin e tyre i mbajtën gjallë të birin.

“I falenderojmë të gjithë për donacionet dhe mirësinë e tyre. Paratë shpresoj të bëjnë një diferencë në ndihmë të familjeve që kanë fëmijë të sëmurë njëlloj si Noa. Një falenderim i madh shkon dhe për artistët që morën pjesë në këtë orvatje tonën”-tha babai i 12 vjeçarit.

Artistët që bashkëpunuan me 12 vjeçarin në këtë projekt të bukur ishin nga Britania, Kolumbia, Italia, Spanja, Franca, Suedia, Gjermania, SHBA-të e Australia.