“Ky qe fati ynë… jemi dy vëllezër me probleme fizike, të varfër e të pamundur për t’u shëruar”

 “Ky qe fati ynë… jemi dy vëllezër me probleme fizike, të varfër e të pamundur për t’u shëruar”

Në Veri të Kosovës, në Mitrovicë. Prej 10 vitesh vuajnë. Të vuash se nuk merr dot frymë, se nuk të zë dot gjumi natën.

Kjo është historia e dy vëllezërve, Besnikut e Lendritit. Të dy vuajnë seriozisht nga skolioza. Trupat e këtyre dy vëllezërve janë përkulur nga sëmundja, aqsa jeta i duket sikur e ka humbur kuptimin.

Besniku (majtas) dhe Lendriti (djathtas)

“Kam dhimbje, kam shumë dhimbje, me merret fryma, me zor eci. Nuk kam një jetë normale. Prej 10 vitesh, vuaj nga deformimi i shtyllës Kurrizore. Më dhemb shpina, më dhemb shumë, çdo ditë që kalon deformimi shtohet. Nuk rri dot shumë në këmbë, as ulur, nuk eci dot gjatë, edhe kur shtrihem sërish kam dhimbje”, -thotë 23-vjeçari, Besniku.

“Ashtu si edhe vëllai im vuaj nga shtylla kurrizore. Çdo ditë e me shumë deformimi shtohet. Ëndrra ime për t’u bërë polic u shua. Askush nuk do ta pranonte një polic me te meta fizike. Kjo barrë e rëndë më është bërë pengesë për gjithçka, nuk marr dot frymë, nuk vrapoj, nuk eci dot për shumë kohë. Ndihem ndryshe. Ne fakt, te dy jemi ndryshe. Jemi dy njerëz me probleme fizike, te varfër dhe te pamundur për tu shëruar”, – thotë 18-vjeçari Lendriti.

Mjekët i kanë thënë vëllezërve se mund të humbin jetën nëse nuk kryejnë ndërhyrje. Besniku na tregoi se mjeku i kishte thënë se do t’i bllokohej frymëmarrja.

“Mjekët më kanë thënë që duhet të bëhem operacion sa më parë, përndryshe do të më bllokohet frymëmarrja, mund të humbas edhe jetën. Më kanë thënë që është operacion shumë i vështirë, por nuk trembem, kam më shumë frikë se nuk do të mund ta bëj dhe do të ngelem përgjithmonë kështu. U kam kërkuar prindërve që të bëhem operacion, por nuk kemi para, madje as nuk e dimë se sa kushton. Ajo që dimë është se nuk kemi asnjë të ardhur, me zor shtyjmë muajin. Babai punon në ndërtim me ditë, kur gjen punë. Njerëzit me shohin ndryshe. Dikush trembet, dikush më sheh me keqardhje, dikush me mëshirë. Çdo herë kur eci nëpër rrugët e qytetit tim, mendoj a do të mundem edhe unë një ditë të eci drejt, a do të më pushojnë një ditë këto dhimbje të tmerrshme? Ndonjëherë e humbas shpresën, ndërsa shpeshherë mendoj dhe i lutem Zotit ndoshta del dikush që të më ndihmojë! Nuk e di, nuk e di si do të jetë jeta ime, por kështu siç jam nuk mundem më. Ky është fati im dhe çka vjen prej Zotit mirë se vjen, por unë dua të jetoj, Ju lutem më ndihmoni të jem edhe unë si të tjerët”, -shprehet Besniku.

Për të parë sesi “Shqiptarët për Shqiptarët” i ndihmuan dy vëllezërit, mund të klikoni në linkun e mëposhtëm.