Familja e strukur në plasmas, shqiptarët i bëjnë me shtëpi

 Familja e strukur në plasmas, shqiptarët i bëjnë me shtëpi

“Ju lutem na ndërtoni shtëpinë” kjo ishte thirrja e Madalenës së vogël që qante me ngashërim. Të pafuqishëm e të harruar nga shteti në fshatin Kaçivel jeton një familje pa kulm mbi kokë. “Shqiptarët për shqiptarët” udhëtoi javën e kaluar në fshatin e largët për të dëgjuar historinë e tyre dhe për të parë kushtet ku jetonin prej 3 muajsh.

6 frymë dhe jetonin prej shkurtit në qiell të hapur, vetëm në një çadër të vogël plasmasi. Zjarri u kishte shkrumbuar banesën dhe ata kishin mbetur veç me rrobat e trupit. Elvis Naçi së bashku me Sidrit Bejlerin shkuan për ta parë nga afër familjen. Ishte një ditë me shi. Vajzat zbathur çapiteshin në baltë, më e vogla prej tyre Esjona, kishte atë ditë ditëlindjen mbushte 2 vjeç. Prindërit e saj kanë halle mbi supe, festa e ditëlindjes së vogëlushes me një ëmbëlsire është kaq e paimagjinueshme. E ëma lan rrobat në një kusi, vajzat shikojnë shiun e mërzitshëm.

Vizitorët Elvisi dhe Sidriti pasi takojnë familjen u futën brenda çadrës së improvizuar

“Kur e pamë në emision, nuk na u duk çadra kaq e vogël, këtu është katastrofë, jam pa fjalë. Na ka prekur shumë historia juaj. Duam që këto vajza të shikojnë një rreze drite. Duam t’iu ndihmojmë me shpirt dhe zemër. Këtu është katastrofë nuk mund të jetojnë këtu në këto kushte 4 vajza të vogla” i tha Elvisi familjes.

 Venesita vajza e madhe e familjes nuk mund ti mbante lotët kur tregonte për momentin kur u njoftuan për shtëpinë e përpirë nga flakët.

“E si mund të të lëmë në jashtë? Ne do të përpiqemi maksimalisht që të kesh një shtëpi” i tha Elvisi duke e qetësuar.

E ndërsa ishte duke i thënë këto fjalë, dy kamionë të ngarkuar me materiale ndërtimi ishin rrugës në drejtim të shtëpisë së djegur. Ndërkohë që po zhvillohej kjo bisedë, familja nuk e di se çfarë po ndodh jashtë, të gjithë dalin me të dëgjuar zhurmat. Shikohet habia në sytë e familjes Lazi. Në këtë moment kur kamioni zbrasi zhavorrin në oborr Elvisi u jep lajmin e mirë se fill në këtë çast po niste puna për ndërtimin e shtëpisë se re.

“ Këtë e kemi bërë për ditëlindjen tendë Esjona. Dy gëzime në një ditë sot” tha Elvisi.

Administratori i firmës “Braka Construction” Marsel Braka ka marrë përsipër ndërtimin e shtëpisë së re të familjes Lazi tha se punimet do të përfundojnë në kohë rekord pasi gjithë stafi i punëtorëve janë të motivuar për të dorëzuar çelësat e shtëpisë së re.

“Kemi bërë skicat e projektit të shtëpisë dhe kemi prodhuar trarët dhe kolonat e shtëpisë” tha administratori i firmës së ndërtimit Marsel Braka.

Sakaq nuk mund të ikim nga familja Lazi pa festuar ditëlindjen e Esjonës së vogël me një tortë. Vajza mbushi 2 vjeç, ditëlindjen tjetër do ta festojë jo më brenda një plasmasi por brenda shtëpisë së re që po ndërtohet.